In memoriam: Me rastin e 40 – vjetorit të vdekjes së Dr. Don Gaspër GJINIT (1930 – 1985)

Religjion

In memoriam: Me rastin e 40 – vjetorit të vdekjes së Dr. Don Gaspër GJINIT (1930 – 1985)

Nga: Don Lush Gjergji Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 12:53
Foto ilustrim

Miq të pikëlluar dhe të ngushëlluar: Dikush tha: Vetmia, mos të them vdekja,  është shoku më i mirë për njerëzit e ngritur!

Kështu ndodhi edhe me Don Gaspër Gjinin tonë. Para 40 viteve, saktësisht me 7 mars 1985, në një ditë të zymtë dhe me mot të ligë, erdhi lajmi i keq për ne: në spitalin e Beogradit ka ndërruar jetë,  ka kaluar në amshim meshtari ynë i vyeshëm, njeri i cili për ta ndriçuar historinë e Kishës Katolike dhe të Popullit tonë, nuk kurseu asgjë,  natë ditë punoi, hulumtoi, gjurmoi, ku diti dhe s’diti, dhe me veprën e tij postume, “ Historia e ipeshkvisë Shkup – Prizren nëpër shekuj”, DRITA, 1992, vërtet u bë “pasqyra” jonë. Ai shkroi histori, u bë histori, mbeti në histori, si dijetar, urtar, me dijen e Solomonit, urtinë profetike, guximin e Davidit, mirësinë dhe dashurinë e Shën Nënës Tereze, gjithnjë  në shërbim të së Vërtetës dhe Jetës.

Sot jemi këtu, prapë të bashkuar dhe vëllazëruar, kokë me kokë, zemër me zemër, për ta kujtuar meshtarit gojëmbël, predikatarin e famshëm, njeriun që aq fort e deshi Zotin, Kishën Katolike, Popullin Shqiptar, mbarë njerëzimin, me shpirtbardhësi dhe bujari shembullore.

Dr. Don Gaspër Gjini lindi në Ferizaj më 24 shtator 1930, u shugurua meshtar me 2 korrik 1955, kurse kaloi në amshim më 7 mars 1985, do të them në moshën më të mirë të jetës, punës dhe hulumtimeve, 55 vjeçar, tërësisht i dorëzuar Atit tonë të mirë.

Pjesën më të madhe të jetës ia ka kushtuar veprimtarisë baritore, shërbimit meshtarak, kryesisht në Shkup dhe në rrethinë, pa e lënë kurrë anesh as veprimtarinë shkencore, në veçanti studimet historike dhe të drejtësisë kishtare.

Kurorëzimi i hulumtimeve shumëvjeçare është kryevepra e tij, “Historia e ipeshkëvisë  Shkup – Prizren nëpër shekuj”, që është botuar kroatisht në vitin 1986, ndërsa në gjuhën shqipe 1992. Kjo vepër, përpos shqipes dhe kroatishtes, është botuar disa hera edhe në gjuhën anglishte, me përmbledhje edhe në disa gjuhë tjera evropiane. S’mund të harrohet se me mjeshtri, përkushtim, fe dhe dashuri ka përpiluar edhe librin e begatshëm e tejet të qëlluar “Shujta shpirtërore”, që pati disa botime në botën shqiptare, libër ky që ka gjetur vend në mendje, duar dhe zemër të shumë besimtarëve tanë kudo në botë.

Po ashtu duhet përmendur dhe përkujtuar edhe disa artikuj studimor në revistën tonë DRTA me titull: Thërrmija historike dikur nëpër Kosovë, të cilat i ka ndërpre sëmundja  dhe vdekja e hershme.

Por kurrsesi s’mund ta harrojmë edhe veprimtarinë e tij baritore, meshtarake, si predikatar i palodhshëm dhe i paluhatshëm, guximtar i së vërtetës, Fjalës dhe Porosisë së Zotit, si kujdestar i zellshëm për të sëmurë, si babë i mirë dhe zemërgjerë për të varfër, kryetar i gjyqit kishtar ipeshkëvor, si shtyllë dhe bashkëpunëtor tejet i frytshëm në redaksinë e DRITËS, si mësues dhe prijës i shumë priftërinjve të ri, si meshtar dhe njeri që jetoi dhe veproi për Zotin, për të afërmin, për çdo njeri.

Ne sot dhe gjithmonë krenohemi me Ty, si birin dhe vëllain tonë, si njeri që na zbardhe fytyrën dhe na nderove, na bërë krenarë që jemi të krishterë dhe shqiptarë, që nga zanafilla e krishterimit e deri në ditët tona, dikur si ilirë, më vonë si arbër, sot si shqiptarë.

Seneka i mençur pat thënë kështu: “Puna më e madhe në jetën e njeriut është gjetja e kuptimit të jetës dhe të vdekjes”.

“Ciceroni thotë: “Vdekja është e tmerrshme vetëm për at që me atë humbin çdo gjë.”

Gothe thoshte kështu: “Besoj thellësisht në pavdekësi dhe mu për këtë jam i qetë.”

Shën Avgustini thotë: “Nuk mund të vdes keq ai që ka jetuar mirë!”

Shëlbuesi ynë Jezu Krishti kështu e ka përballuar jetën dhe vdekjen: “Unë jam të ngjallurit dhe jeta. Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do lë vdesë kurrë. A e beson ti këtë?” (Gjn 11,  25 -26)

Ti, Don Gaspër i dashur, e ke gjetur këtë Rrugë, i ke besuar kësaj të Vërtete, dhe besoj dhe uroj ta kesh gjetur dhe shijuar këtë Jetë – në Jezusin e ngjallur!

Koha po kalon, për dikë shpejt e për dikë ngadalë. Shpresuam se koha do t’i  shëronte disa varrë, sidomos kalimin tënd në amshim...  Mirëpo ndodhi e kundërta: sa më tepër që po kalon koha, aq më shumë po na mungon Ti si vëlla meshtar, dijetar, historian dhe jurist!

Tani përmendorja jote në oborr të Kishës në Ferizaj, vepër e skulptorit të famshëm Agim CAVDABASHËS (1944 – 1997), flet, thërret dhe dëshmon për jetën dhe shërbimin tënd, me fytyrë  dhe personalitetin me plot optimizëm, gjithnjë i gjallë në kujtimet tona dhe te Zoti: je në mesin tonë, në mend dhe në zemra, sidomos në uratë, shpresë dhe siguri të amshimit të lumtur!

Të falënderojmë për të gjitha të mirat që i ke bërë dhe na i ke lënë, ndër ne, me ne dhe për ne! Zoti të shpërbleftë me amshimin e lumtur! Pusho në paqe dhe lutu për ne!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat