Ai e dha jetën me fjalët: “Qoftë për hatër të Krishtit!”

Religjion

Ai e dha jetën me fjalët: “Qoftë për hatër të Krishtit!”

Prend Ndoja Nga Prend Ndoja Më 7 mars 2025 Në ora: 22:00
At Luigj Palaj

Gjithmonë më kishte tërhequr vëmendjen ai kryq i madh i hekurt në Janosh të Gjakovës, nga na binte udha shpesh të kalonim. E quanin Kryqi i Fratit dhe ishte bërë një toponim i njohur e i përdorshëm nga fshatarët si një pikë takimi dhe referimi në bisedat e tyre. Por në fëmijëri kisha mundur të mësoja nga prindërit vetëm faktin që ai kryq i përkiste kujtimit e nderimit të një prifti françeskan, me emrin Atë Luigj Palaj, i cili ishte vrarë pikërisht në atë vend nga shkjetë. Kur u rrita dhe fillova të lexoj për jetën e tij, mësova edhe historinë e këtij prifti martir, që e masakruan dhe e vranë pse ishte besnik i palëkundshëm i fesë së tij dhe besimtarëve u thoshte gjithmonë: “Hiqni keq, por fenë mos e ndërroni”.

Me siguri prindërit e tij, Toma e Paulina, dy njerëz të thjeshtë nga fshati Janjevë, që e lindën më 14 prill të vitit 1878 dhe e pagëzuan me emrin Matì, nuk e mendonin që ai fëmijë do të bëhej një shërbëtor i devotshëm i Krishtit, të cilit do t’i falte një ditë edhe gjakun e jetën e tij. Që në moshë të vogël atë e thirri Zoti në udhën rregulltare të fretërve të vegjël, për të cilën ai studioi në Shkodër, në Troshan të Lezhës e në Itali. Mbase ishte një koincidencë që atje në Troshan ai gjeti edhe bashkëfshatarin e vet, Shtjefën Gjeçovin, i cili kishte lindur 4 vjet para tij në Janjevë. Më vonë koincidencat do të kryqëzoheshin shpeshherë në jetën e tyre. Në Troshan, Matia e ndërroi emrin e tij të fëmijërisë dhe u pagëzua me emrin Luigj. I shquar për vullnetin e zellin e tij gjatë gjithë viteve shkollore, ai arriti që më 23 shtator të vitit 1896, në moshën 18-vjeçare, të veshë petkun fetar të Shën Françeskut. Meshën e tij të parë si françeskan ai e kremtoi më 20 prill të vitit 1903 dhe që aty nisi misioni i tij si bari i shpirtrave njerëzorë. E nisi në fshatin Baz, por mendjen e kishte për ngritjen e kishës së re në fshatin Gllogjan të Gjakovës. Për këtë qëllim filloi menjëherë të mbledhë lëndën e parë të nevojshme.

Nga fillimi i vitit 1913 serbo-malazezët kishin filluar një fushatë djallëzore në zbatim të doktrinës për shpopullimin e Kosovës, Iliridës e Sanxhakut dhe futjen e familjeve serbe e malazeze në tokat e shqiptarëve. Serbia nga ana e saj kishte bërë një marrëveshje me Turqinë për të shpërngulur banorët shqiptarë të besimit mysliman në Turqi, Irak, Iran e Siri. U shpërngulën rreth 200 mijë shqiptarë. Familje të tjera dëboheshin me forcë nga tokat e tyre. U sollën rreth 20 mijë familje serbe dhe ishte planifikuar të silleshin edhe 5 mijë familje malazeze në Rrafshin e Dukagjinit. Ndërsa shqiptarët e besimit mysliman degdiseshin drejt djerrinave të Anadollit, shqiptarët e besimit katolik pësonin një persekutim tjetër. Atyre u kërkohej të ndërronin besimin e tyre dhe të ktheheshin në ortodoksë. Kjo ishte një politikë e veçantë e kishës serbe dhe malazeze. Nga ana tjetër ua mohonin atyre të drejtat e shkollimit në gjuhën shqipe. Synimi i tyre ishte që nëpërmjet rrugës fetare ta bënin sa më lehtë asimilimin e popullsisë shqiptare, pra ta eliminonin kombin shqiptar.

Atë Luigj Palaj e kishte kuptuar me kohë e në thelb këtë fushatë dhe politikë djallëzore, armiqësore dhe antishqiptare. Ndaj iu kundërvu asaj hapur. Duke kryer misionin e tij si njeri i fesë, ai predikonte tek besimtarët mbrojtjen e fesë katolike dhe të krishtërimit. Pa u ngritur asnjëherë kundër besimeve të tjera fetare, të cilat ai i respektonte dhe me të cilët bashkëpunonte, ai ngulte këmbë që secili ka të drejtë të mbrojë besimin e vet dhe të ndjekë e kremtojë ceremonitë e festat fetare sipas besimit të tij. Ai shkonte shtëpi më shtëpi, takonte besimtarët dhe u shpjegonte të këqijat që sillte kërkesa e ndërrimit me forcë të besimit fetar. Pas asaj kërkese, ishte shkombëtarizimi i vendit. “Pranoni të hiqni keq, por fenë mos e ndërroni”, këmbëngulte ai tek besimtarët, ndërsa u fliste për kalvarin e Krishtit dhe sakrificat e tij deri në kryqëzim. I porosiste të qëndronin të bashkuar dhe të mos pranonin të largoheshin nga tokat e tyre. Puna e tij u jepte kurajo besimtarëve dhe e forconte tek ata shpirtin e qëndresës. Ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, por përpara kauzës e misionit të tij nuk i trembej as vdekjes. Në shënimet që ka shkruar më vonë Shtjefën Gjeçovi për bashkëfshatarin e bashkëmisionarin e tij, Atë Luigj Palajn, sjell mes të tjerash edhe bisedën që ai kishte bërë me një besimtar, i cili kishte shkuar ta njoftonte Atë Luigjin për rrezikun që e priste nga shkjetë. Dhe prifti i ishte përgjigjur besimtarit, që ishte një bari: -Ti i del zot tufës sate me pushkë e unë do t’i dal zot tufës seme, që janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshillë. Ujku ka hy veç brenda vathit tem, e ka fillue me ma damtue tufën. Mue më duhet, pra, me i ra mbrapa tufës seme e me i turitë ujqit me kërcënime të rrepta me anë të Zotit. Unë nuk ja kam kujdesin këtij mishit tem, i cili, sot a nesër do të bahet gjellë krimbash.

Serbo-malazezët po e ndienin forcën shpirtërore të shqiptarëve, që rezistonin në mbrojtje të fesë së tyre dhe të tokave të tyre. E kuptuan që dikush punonte kundër tyre dhe arritën të bien në gjurmët e fratit katolik dhe të punës së tij të palodhur. I bënë kërcënime e presione që të hiqte dorë, por Atë Luigj Palaj nuk e ndalonte punën e tij dhe as thyhej e as frikësohej përpara tyre.

Nga fillimi i vitit 1913 serbomalazezët filluan kontrolle e raprezalje nëpër fshatrat kosovare, me pretekstin se po kontrollonin për armë. Por qëllimi i vërtetë ishte realizimi i doktrinës së tyre të shpopullimit. Në një nga fshatrat e gjetën edhe Atë Luigj Palajn dhe e arrestuan, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë që bënin rezistencë. E dërguan në burgun e Gjakovës, ku e vunë nën akuza të rrepta dhe nën tortura çnjerëzore. I kërkonin të hiqte dorë nga misioni i tij. Madje i kërkuan edhe që të ndërronte fe e të bëhej shkja. Por përgjigja e tij ishte e prerë dhe e vendosur: ”Unë kam Zotin tem Krishtin, e zëvendësin e tij në tokë, që sundon kishën katolike. Unë si meshtar katolik, urdhrit të tij i rri më këmbë e vetëm atij i bindem”.

Pas këtij qëndrimi të vendosur e pa kompromis, persekutuesit e tij vazhduan me tortura çnjerëzore fizike, të cilat ai i përballonte me një qëndresë të rrallë, burrërore e hyjnore. E lidhin bashkë me 54 shqiptarë të tjerë dhe i nisin më këmbë, duke i torturuar gjatë gjithë rrugës, për në burgun e Pejës. At Luigj Palajn e torturonin më shumë, duke e goditur me kondakun e drunjtë të pushkëve dhe duke ia çjerrë rrobat e mishin e trupit me bajonetë. Ai udhëtim ishte tamam udha e kalvarit të tij, si ajo e Krishtit drejt kryqëzimit. Në vendin e quajtur Janosh, forcat e tij fizike thuajse kishin mbaruar dhe po e tërhiqnin zvarrë. Njollat e gjakut të tij skuqnin tokën. Ishte i veshur hollë, vetëm me një këmishë e ishte akoma dimër i egër, fillimi i muajit mars. E zgjidhën nga rreshti ku ishte lidhur me të tjerë dhe e hoqën disi mënjanë. E larguan nga rruga dhe e vunë përpara pushkatimit. Përpara se të dëgjoheshin krismat, të burgosurit e tjerë, që e donin dhe e kishin udhëheqësin e tyre shpirtëror, dëgjuan nga goja e misionarit të shenjtë thirrjen: “Qoftë për hatër të Krishtit”!. Pastaj krismat e armëve të persekutorëve. Ata hapën një gropë dhe e varrosën ashtu, pa asnjë lloj mbulese, sikur nuk varrosnin në qenie njerëzore. Ishte 7 mars i vitit 1913. Dhe Atë Luigj Palaj kishte pothuajse të njëjtën moshë që pati Krishti në momentin kur e kryqëzuan. I madhi Gjergj Fishta do të shkruante në poemthin e tij kushtuar këtij martiri:

U rrzue sherbtori i Zotit —Heu! Si nuk plasi djerri! E syt per t’gjatë të motit Ndermjet anmiqve i erri: Gjaku prej varrvet t’ngrata Gurglloi mbi buca t’thata.

Në shënimet e tij, Shtjefën Gjeçovi, sjell kujtime të bashkëkohësve, të cilët tregojnë se kur e kishin hapur varrin e Atë Luigjit, pas 9 javësh, trupi i tij ishte si atë ditë që e kishin vrarë, i paprishur, pa erë dhe me një ndriçim të bardhë si ai i murit të sapolyer. Vetë Gjeçovi kishte marrë si kujtim një eshtër të krahut të këtij martiri të krishterimit.

Atë Luigji u shërbeu besimtarëve dhe çështjes kombëtare jo vetëm me jetën, por edhe me vdekjen e tij. Kur Europa mori vesh këtë masakër, mbajti atë qëndrim shurdh që ka mbajtur gjithmonë sa herë që janë dëmtuar trojet dhe popullsia shqiptare, edhe pse gazetat evropiane të kohës shkruanin për këtë ngjarje: “Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX”. Por Austria dhe Selia e Shenjtë në Vatikan reaguan dhe ai reagim bëri që malazezët ta ndërprisnin fushatën e tyre në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo shpëtoi sa e sa jetë njerëzish e sa e sa familje nga persekutimi dhe dëbimi. Ndërprenë atë fushatë, por dihet që doktrina për shpopullimin e territoreve shqiptare ekziston edhe sot e kësaj dite, me synimet e përhershme grabitqare e antishqiptare.

Shtjefën Gjeçovi, që jetoi edhe 16 vjet pas Atë Luigjit, iu përkushtua mbledhjes së kujtimeve për bashkëmisionarin e tij dhe ka lënë mbi 80 faqe të shkruara. Edhe ai u vra në fshatin Zym nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929. Dhe sot varret e të dyve gjenden pranë e pranë.

Atë Luigj Palaj kishte mbledhur materiale për të realizuar ndërtimin e kishës së re në Gllogjan. Nuk e lanë ta realizonte këtë ëndërr. Por vetëm 7 muaj pas vdekjes së tij, më 7 tetor të vitit 1913, u hodh guri i parë kishës së re në këtë fshat, me praninë e një numri të madh besimtarësh, si dhe të kolonelit austro-hungarez Schueler, të përfaqësuesit malazez Spasojeviç dhe të imzot Lazër Mjedës. Ky i fundit çoi edhe një meshë për shpirtin e martirit.

Jeta plot sakrifica, përkushtimi prej misionari të devotshëm dhe martirizimi i Atë Luigj Palajt bënë jehonë deri në Vatikan. Shtjefën Gjeçovi kishte filluar procesin për lumninin e këtij martiri të krishtërimit, por ky proces u ndërpre për shkak se Gjeçovi u vra. E rifilloi këtë proces Arqipeshkvia e Shkodrës në vitin 2010 dhe e vazhdoi për disa vite, derisa më 20 qershor 2024, Kardinali Marcello Semeraro, i autorizuar nga Papa Françesku, shpalli Dekretin për lumnimin e Pater Luigjit, i vrarë nga urrejtja për fenë më 7 mars 1913. Dhe më 16 nëntor të po atij viti, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, u kremtua mesha për lumnimin e dy meshtarëve, njëri prej të cilëve ishte Atë Luigj Palaj. Meshën e kryesoi i dërguari i Papës, Kardinali Marcello Semeraro, i cili mbajti edhe fjalën e rastit, në praninë e popullit të Shkodrës, të ipeshkëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Italia dhe të kardinalit shqiptar Ernest Troshani.

Kanë kaluar 112 vjet që nga vrasja e këtij martiri të kishës së shenjtë. Sot, më 7 mars, u mblodhën përsëri plot njerëz në fshatin Janosh, tek Kryqi i Fratit. Aty u mbajt mesha e kushtimit të kishës kushtuar atë Luigj Palajt, martir. Meshën Shenjte e  kremtoi Ipeshkvi i Kosovës, Monsinjor Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët e Dioqezës Prizren-Prishtinë. Kështu, mbi njollat e gjakut të Atë Luigj Palajt, që nuk e thajnë shekujt, do të ngrihet monumenti i kujtesës kombëtare, për birin e shenjtë të Janjevës e të tërë Kosovës, i cili u martirizua për ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar, përballë hordhive serbo-malazeze që përpiqeshin ta zhbënin atë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat