Miku im Mark Palnikaj kish dëshirë që ta shoqëroja për një vizitë në vendin që dikur quhej "Albania Veneta" (Arbëria e Venedikut).
Marku dhe bashkëshortja e tij, zonja Prenë Palnikaj, janë adhurues të atdheut tonë, të hershëm edhe të sotëm, dhe nuk lënë rast pa shkuar, herë në një krahinë, herë në tjetrën, sepse dihet që, kur i shikon me sy bukuritë e vendit të vet, njeriu e do atë vend shumëfish më tepër se kur e njeh vetëm përmes librash.
Zonja Prenë është profesoreshë shumëvjeçare e gjuhës dhe kulturës angleze, ndërsa Marku ka vite që merret me historinë tonë të Mesjetës, duke studiuar kryesisht dëshmi arkivore të Romës, Napolit dhe Venecias. Ka botuar deri tash një tufë librash me dokumente të shumtë, në origjinal dhe të përkthyer, të cilët i plotësojnë pazëvendësueshëm shumë boshllëqe që ka historiografia jonë për atë periudhë.
Sa dolëm nga territori i Shqipërisë së sotme, po dua të them, sa kaluam Tivarin, i cili gjithashtu po tjetërsohet dhimbshëm, hymë në të quajturën "Albania Veneta", ku bëjnë pjesë Petrovaci i sotëm, Budva, Kotorri, Perasti, Risani, Tivati dhe të gjithë vendet që gjenden në fjordin e vetëm që ka Mesdheu dhe që në shqip i thonë Grykat e Kotorrit, sllavisht Boka Kotorska, ndërsa italisht Golf di Kataro (Golf di Cataro).
Nuk ka askund asnjë tregues që këto hapësira deri vonë (madje s’e dimë as vetë deri në ç’shekull), kanë qenë thjeshtë arbërore. Dimë që, gjatë gjithë sundimit venediaks, kjo trevë është quajtur "Albania Veneta" dhe kjo, pa dyshim nuk ka ndodhur pa një arsye historiko-etnike. Këto hapësira kanë qenë pjesë e Arbërisë, prandaj dhe janë quajtur Albani.
Tjetërsimi i parë etno-gjuhësor i kësaj Albanie ka qenë kroatizimi nëpërmjet Kishës Katolike Kroate. Në ç’gjuhë t’ua thuash meshën besimtarëve, atë gjuhë do të përvetësojnë besimtarët. Fillimisht do të mësojnë lutjet në atë gjuhë, pastaj do t’u duhet të kuptojnë predikimet dhe, më në fund, mbas tre ose katër brezash, ai popull nuk do të flasë më në gjuhën e të parëve të vet.
Në këtë pikë është shumë e rëndësishme të kuptojmë që, i pari faktor, i cili ia ndryshon gjuhën dhe që e tjetërson një popull, është gjuha në të cilën shërbehet dhe predikohet feja. Mbas kësaj vjen administrata shtetërore e madje mund të ndodhë që një administratë shtetërore nuk arrin t’i ndryshojë gjuhën dhe kulturën e një kombi për qindra vjet, ndërsa një shërbesë fetare është në gjendje ta tjetërsojë një komb në fare pak breza.
Kështu ka ndodhur edhe në këto pjesë të Arbërisë: Pushtetin laik e kishte Venecia italiane, ndërsa pushtetin fetar e kishte Kisha Katolike Kroate dhe populli bëri të vetën gjuhën e kishës, ndërsa gjuhën e shtetit e përdori atje ku i duhej dhe atëherë kur i duhej.
Por edhe sundimit shpirtëror kroat në këto anë do t’i vinte fundi një ditë. Në prapashpinën e Grykavet të Kotorrit, gjithë kështu në një trevë arbërore, do të zinte fill dhe do të fuqizohej Kisha Pravosllave Serbe.
Këtë Kishë Pravosllave Serbe e kish përkrahur e përdorur, për të siguruar pushtetin e vet, familja princore arbërore e Zezëvet, e cila, për t’i dhënë shembull popullit të vet se si mund të ndërrohet lëkura sipas stinëve, u vetëquajt Cërrnojeviq.
Cërrnojeviqtë ikën e shkuan, por Kisha Pravosllave Serbe, me vlladikatin e vet në Cetinjë, mbeti dhe u krijua ashtu kombi malazias, iliro-arbëror nga gjaku, ndërsa sllavo-ortodoks nga besimi e gjuha.
Në shekullin XIX ai komb, tashmë malazez, me liturgji pravosllave e me gjuhë sllave, iu mire gjend Rusisë Cariste për të bërë këtu një shtet sado të vogël prorus, që ta përdorte si udhëkalim për të dalë në Mesdhe.
Mirëpo, Mali i Zi i Moçmi (Stara Crna Goira), skish dalje në det. Duhej sajuar, duhej bërë çmos që ai shtet, i sllavizuar falë shkurtpamësisë së princërve arbër, të kish edhe dalje në det.
Iu dha fillimisht një và, një gji fare i vogël, sa për të ankoruar aty ndonjë anije. Pastaj Austria, duke dashur të mbajë Hercegovinën për vete, ia fali Malit të Zi Tivarin, pastaj, me rrukullisjen e rrethanave, iu dha po këtij shteti edhe e dikurshmja "Albania Veneta", bregdeti që fillonte në perëndim të Shën-Mërisë së Ratëzit (Rotacit) dhe arrinte deri përtej qytetit të Hercegnovit.
Kjo Albania Veneta (Arbëri Venedikase), që ne e vizituam, skish tashmë asnjë shenjë të dukshme Albanie e, madje, na u duk se kishin mbetur nën hije edhe tiparet kroato-dalmatë, që Kisha Katolike i kish kultivuar me aq zell në ato hapësira.
Kaluam nëpër Kotorr, soditëm aty, nga poshtë, muret e një kështjelle ilire, unikale në botë dhe nga më të çuditshmet që mund të jenë ndërtuar ndonjëherë për qëllime mbrojtjeje. Vazhduam rrugën nëpër Perast dhe, në Risan (Rizoni i dikurshëm), vizituam, me ngè, mozaikët e famshëm të një Ilirie prej kohësh të perënduar. Midis tyre shijuam edhe pamjen e vetë mbretëreshës Teutë, pranë së cilës u fotografuam nga disa herë. Kështu thuhet, por ne s’e dimë: A vërtet ai mozaik paraqet Teutën?
Prena e Marku nuk e di si e ndien veten, por unë gjithë kohën pata përshtypjen se po “ushqehesha” me lugë të zbrazët. Po ma shtrëngonte shpirtin një revoltë e brendshme. Jo ndaj kroatëve! As ndaj malazezeve (sa i përket këtij aspekti)! Ndaj tyre, për këto që kanë ndodhur në Grykat e Kotorrit, s’kam pse të kem asnjë ndjenjë të keqe. Por ndaj mbretërve tanë, ndaj të parëve tanë, të cilët e kishin mundësinë për të bërë histori të madhe e u shuan secili më i palavdishëm se tjetri.
Ma mbërtheu shpirtin një trishtim i papërshkrueshëm: Mos edhe këta sundimtarët tanë të sotëm po shkojnë po asaj udhe të mbrapshtë?! Ashtu si sot nuk është më tokë arbërore "Albania Veneta" e dikurshme, mos, pas 50 apo 100 vjetësh, nuk do të jenë më tokë arbërore as Ulqini, as Shkodra, as Vlora, as Saranda, as Shkupi, as Presheva, as Mitrovica, as Peja, as Prizreni?!
Sllavët hynë në etninë dhe në kombin tonë me anë të institucioneve të ndërgjegjes. Ne as sot nuk e kemi një institucion kombëtar të ndërgjegjes. Ne jemi budallenj përjetësisht të pandreqshëm, filluar prej kryeministrave e kryeakademikëvet, deri te shqiptari më i zakonshëm, i cili nuk gjen dot mjete jetese në atdheun e vet, por shkon e gjen mjete jetese mu në Alaskë! Atje është mirë për 'të, këtu le të vijë kush të dojë dhe le të derdhë ujët mbi varret e të parëve të tij!
U kthyem prapë në Kotorr, soditëm edhe njëherë muret madhështorë të Ilirisë së lashtë, këtë herë jo ata në brinjë malit, por këta që shtriheshin, të rëndë e të palëvizshëm në krejt gjatësinë e rrugës, nga lëviznin pa pushim turistët, por që nuk dëgjojnë as edhe një fjali, nga ato që kanë përdorur ndërtuesit e atyre mureve ish ndërtuar një rrugë e re automobilash. Ishte rrugë që çonte në Podgoricë, por jo në Cetinjë. Përse e kishin anashkaluar Cetinjën, kryeqytetin e dikurshëm të Malit të Zi?! A mos ky anashkalim tregonte (simbolikisht dhe praktikisht) që Cetinja tashmë s’i hynte në punë askujt?! Cetinja historibërëse! Cetinja kombkrijuese! Cetinja, ruajtësja fanatike e Kishës Pravosllave Sërbe, e cila tani po kërkonte me këmbëngulje për ta shuar emrin e Cetinjës! Më erdhi keq që ndërtuesit e asaj rruge, që lidhte Podgoricën me Adriatikun, e kishin injoruar Cetinjën aq poshtërueshëm.
Në rrugën që bëmë, mua si gjuhëtar, më pëlqente të përsiatja toponiminë e atyre krahinave. Emrin e Budvës, dikur Batua, unë e zbërthej në Bat dhe Va, me kuptimin Va-ni, gjiri, ku akostohen anijet. (Krahaso shqip Và e frëngjisht Bato (bateau), anije. Emrin e Tivatit unë sërish e lidh me fjalën iliro-arbërishte Và, fjalë që e kemi te Vadeja, Vashqefni, Vaqarri. Te toponimi Gërbalj (Grbalj) kemi fjalën Gur me prapashtesat -bë dhe -ël. Emrin e Kotorrit, Dekadaroni i dikurshëm, im atë e zbërthente në *të-katër-anët, sepse ai vend është i rrethuar nga të gjitha anët me male shkëmborë aq të thepisur sa rrallëkund mund të gjenden. Emrin e Perastit mua më shkon mendja ta zbërthej në *Mbë-Rrasë-të, sepse vërtet ai qytet qëndron, jo mbi tokë të butë, por mbi rrasa. Ndërkaq, emri i Risanit, Rizoni i dikurshëm, është ndërtuar poshtë një terreni shkëmbor, prej nga vazhdimisht rrëzoheshin gurë.
Sipër Kotorrit është mali Llovqen, te i cili njerëzit ngjiteshin nëpër një rrugë gjithë kthesa, pra gjithë Leqe. Pranë Leqënit, mu në krah të tij, gjendet një tjetër mal me emrin Krimal, mal kryesor, mal nga më të mirët me kullota e me pyje. Pa mbërritur në Cetinjë, janë dy katunde, njëri Zallazi, sepse trualli i tij është zallishtë, kurse tjetri Miras, se është vend i mirë. Vetë Fusha e Cetinjës, Njegushi, prej së cilës ka marrë emrin gjithë krahina, shpjegohet me fjalën arbërishte Niegull. Pra, Niegullsh,-i, sepse aty gjatë gjithë vitit ka shumë mjegull. Nëpër këtë fushë rridhte një lumë, të cilit, në një farë vendi, i zihej rruga dhe e detyronte të humbte midis shkëmbinjve. Të tillë lumenj, në gjuhën iliro-arbërore, quheshin Zantina. Nën ndikimin e italishtes veneciane, Z-ja shqiptohej C dhe kështu është krijuar emri i Cetinjës.
Herë mbas here ua thosha me zë Markut dhe Prenës këto përsiatje të miat etimologjike, por ruhesha për të mos e tepruar. Etimologjitë, sa tërheqëse janë në bisedat kur njerëzit udhëtojnë, aq edhe të bezdisshme mund të bëhen, kur shpjeguesi, duke mos e ruajtur masën, shndërrohet në llafazan.
Gjithsesi, mendoj se bëmë një udhëtim mjaft të dobishëm. Atdheu i tjetërsuar të dhimbet dhe njëkohësisht të shtie dridhmat: Mos po na greqizohet e sllavizohet edhe kjo pjesë që na ka mbetur?!