Për herë “të parë” në Tiranë!

Reportazhe

Për herë “të parë” në Tiranë!

Nga: Bajram Sefaj Më: 29 korrik 2022 Në ora: 14:41
Bajram Sefaj

Përnjëmend, pse gjithmonë ndodh kështu: ndonëse në Shqipëri nuk shkoj kurrë, por gjithmonë vi, së paku tri, katër, pesë a më shumë herë, brenda një viti, ardhja në Tiranë, përherë, s’është gjë tjetër pos e para herë për mua. Kështu ishte edhe kësaj radhe. Qëndrova atje vetëm dy ditë e dy net, radhazi. Si ngaherë, qëndrimi, me ngjau i shkurtër, që mund të matej me njësi më të imëta të kohës.

Nga Tirana e ditëve të fundit (26 -28) të muajit qershor, ky vit, kthehem me plot zymbylen, (thesin pa fund) sisë të mbushur përshtypje e mbresa të thella, thua se në Tiranën tonë të dashur, isha për herë të parë, siç thash jo njëherë!.

Ja regjistri i disa nga temat e evidencuara (të skicuara) me të cilat pretendoj të mbush bardhësinë e kësaj faqeje gazete: për herë të “parë” në Tiranë, Tirana pa zemër, Teatri po, teatri jo, Përmendorja e Eqrem Çabej, Ekspozita e Liliana Hoxhës...

Takime: me zonjën Luljetë, me Krenarin, me Kelin, me Dhimitrin, me Benin, me zonjën Brikena (që s’e pashë!), dy takime të dështuara me Mujo Buçpapajn.

Aty nis, aty mbaron!

Z. Muharremi (Kajolli) është, me orgjinë të largët, kosovar. Nga një katund afër Vitisë. Tash tiran’s zemërgjerë e fisnik.

Në kafenenë e tij, jo gjithaq të madhe, përherë aty fillon dhe aty mbaron, çdo aktivitet dhe kontakt me njerëzit e mi të cilët dua t’i shoh e takoj, për aq kohë sa kam në dispozicion gjatë qëndrimit në Tiranë e, përgjithësisht, në Shqipëri.

Ma thirrni këtë, ma thirrni atë... Telefoni zhurmon e cingëron pa ia nda...

Bash sikurse ngjanë në shitoren e Kaçurreles se tjetrit Muharrem (Qenës), kur klientët pos me karamelja, nga dyqani i saj dalin edhe me gjana tjera!

Para se të bie lidhje me akëcilin njeri timin a mik tjetër, me të cilin me lidhë diçka e veçante dhe e përbashkët, profesionale, më shpeshti, sime ngut dal t’i “prek” pikat e mia “nevralgjike” dhe të pakapërcyeshme e, aq të zakonshme për çdo vizitë, sado të shkurtër, Tiranës: Sheshin Skënderbe, TOB-in, Galerinë Kombëtare të Arteve, Teatrin Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare, nëpër pedalore e të Mileniumin 2..., mos helbete ka ndonjë të re nga andejpari.

Nga andej, gjithnjë i ndjekur nga një shi kërleshkan (kadaréan), larg ngrohtësisë së melodisë së preferuar “Shi binte në Tiranë”, kthehem paksa i zhgënjyer. Asnjë koncert, asnjë shfaqje teatri, asnjë shfaqje filmi

Sheshi Skënderbe, nuk është më zemra e Tiranës. Tirana, tash e një kohë bajagi të gjatë, nuk ka zemër!

Sheshi Skënderbe, ai i miri, i dashuri, i moçmi, emblema e dikurshme, aq dalluese, me aq veçori, e kryeqytetit tonë mbarëshqiptar, nuk “banon” më aty. Ai ka tretur. Ka humbur diku në të panjohur. Oh, me ka marrë malli për atë Shesh, dhe rrugët e tjera të Tiranës, ku nuk kam bërë asnjë marrëzi, (si Kadareja në rini!).

“Tirana pa zemër”, moti kohë m’u është tekur, të titulloj një shkrim, plot nostalgji e gjëmë, kushtuar këtij Sheshi të vjedhur, të masakruar dhe të çoroditur, tashmë!

Me doli edhe me keq seç parandieja.

Sheshin Skënderbe e kishte marrë pusi krejt. Në kuptimin metaforik edhe në atë real, bazik e praktik të fjalës. Për pasojë të betonimit tij, katin përdheses të Bibliotekës Kombëtare e kishte vërshuar uji, duke i lagur e dëmtuar fort mbi 12 mijë libra botime të tjera të rëndësishme, të cilët, sipas deklaratave të autoritete gjegjëse të Bibliotekës, ja tek tereshin dhe thaheshin me Fen, aparat me të cilin femrat i thajnë flokët!

Dua të pyes, zëshëm e publikisht të shtroj pyetje: cilët janë sajuesit mëkatarë të këtij projekti të keq dhe për çfarë qëllimesh e bënë këtë vepër bizare e skandaloze, me shpenzime shumëmilionëshe! As që më bënë të marr merak e të trokas në portën e kryebashkiakut, as në dyert e ndonjë kryethati tjetër në Tiranë e t’ia bëj një pyetje të vetme: pse u derdhën e shkuan huq gjithë ata lekë, pse u bë gjithë ajo zhurmë e potere në mas-media tona për kurrgjë send. Të lëvizë e kërcej sa andej, sa këndej, përmendorja e Skënderbeut mbi kalë, ose, si përngjasim fantazme, krijohet përshtypja mashtruese ndoshta, pasi që nën patkonjtë e kalit dhe poshtë shpatës vezulluese të sertë të Skënderbeut, kishin mbirë rrasa gurësh të mermerit, të blera kush e di ku e kushedi sa të shtrenjta!

Me një fjalë, Sheshin (tonë) Skënderbe në Tiranë e kishte marrë pusi krejt ishte shndërruar në një panagjyr provincial me stola shumë dhe ekrane (të mëdhenj) në çdo anë. A thua, mor zot, sa lekë (pare) e mund duhet investuar që Sheshi të kthehet në gjendje të mëparshme autentike. “Të çohet dada në kamë e të bahet qysh a kanë”, siç ia thonë fjalës, këndej nga krahu ynë!

Teatri po, teatri jo! Bash sikurse në poemën “город да, город нет”, të poetit rus, tash të ndjerë, Evgenij Jevtusheko, edhe kjo puna e Teatrit Kombëtar në Tiranë u zvarrit tej mase, pa pikë arsyeje, në shikim të parë, sa që ndjellin brohoritjen në yrnek të poemës “Teatri po, teatri jo”. Ekspertët e thanë të tyren: ndërtesa e tanishme e këtij Teatri është plakë e rrëzbitur, praqet rrezik permanent, prandaj duhet rrënuar atë e, në vend të saj të ndërtohet një ndërtesë e re, e moderne Teatri çfarë Tirana e sotme e meriton, e ka hak. Këtu duhej të përfundonte çdo debat. Duhej që aktorëve të moçëm nostalgjikë tu mbyllej goja dhe të përfillej kërkesa e tyre e fundit dhe më këmbëngulëse që ndërtesa e re të ndërtohet pikërisht aty ku është ndërtesa e tashme, dhe e pat, puna. Ishte fare e panevojshme që ky “problem” të ngjitej deri në Kuvendin e Shqipërisë që, më në fund t’i jepej drita jeshile lejes që në vend të së vjetrës të ndërtohet ndërtesa e re e Teatrit Kombëtar në Tiranë. U krye!

TOB-i – Teatri i Operës dhe i Baletit, sikur mos të ishte fare. Ia ka marrë pahinë dhe ia ka zënë frymën, rinovimi dhe modernizimi i Sheshit Skënderbe. Megjithatë e lumja Tirana që e ka TOB-in e saj. Mjerë Prishtina që nuk e ka fare. As që, në ketë çast dihet se kur do ta ketë. Për momentin projekti (a projektet) e këtij objekti të rëndësisë jetike kulturore flenë në sirtarët e kush e di kujt. Cilës Ministri në kalim.

Galeria Kombëtare e Arteve – Ec e bjeri në fije se ç’po ngjanë atje. Prandaj nuk sjell nga andej asnjë të re, pos së njohurës dhe të mirëpritjes risi se drejtori aktual i këtij institucioni është, një krijues i mirënjohur nga Kosova. Një kudër kompetent dhe të zotin, nga Shqipëria e duam edhe na në Prishtinë. Një drejtor të mirë e të vyeshëm për drejtor të Teatrit të përgjithshëm Kombëtar të Kosovës, bie fjala.

Pse jo!

(vijon)

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat