Shtegtim në Alpe me Mhill Vatën…

Reportazhe

Shtegtim në Alpe me Mhill Vatën…

Lulzim Logu Nga Lulzim Logu Më 19 gusht 2022 Në ora: 15:00
Foto ilustrim

Mhill Vatën e kam takuar para shumë vitesh në Rrogam të Shalës, ndërsa isha mik në shtëpinë e njohur të Cak Bashës, një kullë e vjetër, por krenare, e cila dominonte mbi luginën e bukur , poshtë të cilës rridhte e fshehur nën zall Valbona, e cila mblidhte ujin e Ujvarës së Rrogamit dhe ja mësynte poshtë, për tu shfaqur si shtojzovalle në fshatin Valbonë.

Gjyshi i tij,Bash Vata i Thethit ishte i përmendur në dy Malësitë, atë të Gjakovës, dhe atë të Shkodrës. Bash Vata.ka punuar me figurat e njohura për çështjen kombëtare si Luigj Gurakuqi, por më shumë me Bajram Currin. Korrjer i Bajram Currit e i Bash Vatës së Thethit ka qënë Syl Alija i Kukajve, Valbonë.

Në revolucionin e vitit 1926, kundër regjimit zogist, Vat Smajli, nipi i Bash Vatës, djali i vëllait, u dënue me burgim të përjetshëm e vdiq në burgun e Durrësit. Baba, Cak Basha u torturua dhe u dënua se mbajti besën e zotit me miqtë e tij që ndiqeshin e përsekutoheshin nga regjimi komunist.

Kjo shtëpi, në të gjitha kohërat është përmendur për bukën e dhënë, buka e Malësisë së Gjakovës.Buka e duarve fisnike të nënës Groshe, grua e cila pas vdekjes së burrit e mbajti të bashkuar familjen e saj, rriti dhe edukoi me mundim dhe sakrifica djemtë dhe vajzat e saj, të cilët kudo që jetojnë, mbajtën lart emrin dhe nderin e kullës dhe të familjes.

Mhilli, më i vogli i tyre gjithmonë ka ëndërruar shkollimin e tij dhe arriti të diplomohet për gjuhë dhe letërsi në Universitetin “ Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka punuar mësues një kohë, por edhe punë të tjera, të ndryshme, ndër këto edhe me TVSH,ku ka realizuar disa dokumentarë ,ky është edhe pasioni i tij tashmë dhe vazhdon. Kryesisht lidhur me dikumentimin e etapave të ndryshme historike, promovimin e turizmit malor, portretizimin e figurave të njohura të zonës, por jo vetëm.

Për shumë vite, i lindur dhe rritur nën këmbët e Jezercës, në pejsazhin mahnitës të Alpeve ai me vite të tëra merret me gjurmimin e dhisë së egër dhe shqiponjës së alpeve, filmime të rralla dhe me cilësi të lartë prej një profesionisti të kamerës.

Studio e tij “ Valbona” tashmë është e identifikuar përmes dokumentarëve të njohur dhe të mirëpritur nga opinion si:

Jezerca madhështore.

Jeta që heshti në male.

Shembull frymëzimi në Alpe.

Forca e Kelmendit.

Dëshmorët e Xhanit.

Pulti nderon lavdinë e të parëve.

Dhia e egër e Alpeve.

Thethi dhe turizmi malor.

Rikthimi i kumonës në Kishën e Gimajve.

Shenjti imrekullive dhe besimtarët e tij.

Gjurmët e lashtësisë.

Heronjtë e bjeshkëve.

Trojet arbnore mbi kreshtat e Pultit…

Lista e punëve të tij vazhdon gjatë, ndërkohë që frymëzimi, krenia e tij dhe emri i krejt veprimtarisë së tij artistike mbeten Alpet si areali madhështor i bukurive dhe pasurive të pafundme natyrore.Në vitin 2015, me një kamerë të thjeshtë u ngjit bjeshkëve të filmojë dhe dokumentojë jetën e një specie të njohur të alpeve, të dhisë së egër. Dokumentari i tij, me titull “ Mbretnesha e Alpeve” përbën një arritje madhështore e këtij lloji, një traktat njohje dhe njëkohësisht mbrojtje për këtë specie, mrekulli dhe pasuri e alpeve tona. Por edhe të shqipeve të Alpeve.

Një djalë i ndrojtur, modest pafund dhe fjalëpak, vështirë të identifikohet ndonjëherë në mesin e kolegëve të tij të shumtë, me eksperiencë dhe mundësi më të mëdha promovimi dhe lançimi të produkteve të tyre, megjithatë gradualisht ai po përcillet me interes dhe kërshëri të veçantë nga shikues të shumtë të prodhimeve të tij, në disa kanale televizive, por edhe në youtobe. Për këndvështrime origjinale trajtime objektive dhe cilësi të mrekullueshme të fokusit të kamerës së tij, e cila shpalon pejsazhe mahnitëse, dukuri të rralla njerëzore dhe natyrore, portrete njerëzish të shquar, atdhetarë dhe patriot si dhe pika të përmendura turistike të alpeve, ku turistët e shumtë janë pjesë e promovimit dhe bashkëbisedimit të një realiteti të ri, ku alpet janë kthyer në destinacionin më të lakmuar sot në Shqipëri.

Dokumentarët dhe kronikat e Mhillit për turizmin malor janë guida të verteta dhe mjaft konkrete për turistë vendas dhe të huaj, sidomos për dy qendrat kryesore, Thethin dhe Valbonën.Gjithmonë në kërkim, i papërtuar dhe energjik ai është shndrruar në simbolin e shtegtimit në alpe, një far’ i cili u prin të gjithëve që drejtohen atje kah e verteta, e veçantja, e bukura, e rralla dhe e paharruara.

Meriton vemendje, vlerësim dhe mbështetje ky djalë pasionant dhe i talentuar, fotografi dhe kameramani, malësori i mirë Mhill Cak Basha!

Tropojë, 19 Gusht 2022

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat