Vendi ku njeriu lind, rritet dhe edukohet është dhe mbetet vendi më i dashur, më i çmuar dhe më i shenjtë i jetës. Edhe pse jam i lindur në Spitalin e qytetit të Pejës, vendrritja ime, Bokshiqi mbetet vendi më i bukur dhe më i dashur, më i ngrohtë dhe më atraktiv për të jetuar.
Bokshiqi vend i vogël me histori të lavdishme
Bokshiqi është fshat në jug-perëndim të Komunës së Klinës i cili kufizohet me Lugun e Baranit, përkatësisht me Gllogjanin e Pejës. Bokshiqi përveqse njihet si vend kodrinoro-malor, me toka të plleshme bujqësore dhe blegtori të zhvilluar, njihet edhe me histori të lavdishme dhe rezistenca të shumëta ndaj pushtuesve serbo-sllav.
Në malet e Bokshiqit, në marsin e vitit 1948 është zhvilluar lufta heroike e prijësit të çetës antikomuniste, Ndue Përlleshit nga Paskalica kundër forcave sllavo-komuniste e ndihmuar nga atdhetarët e fshatit dhe fshatrave përreth.
Edhe në historinë më të re të Kosovës, Bokshiqi u bë pjesë aktive dhe e pandalshme e rezistencës aktive kundër pushtimit klasik të Serbisë Millosheviqiane.
Rezistenca e Bokshiqit e 23 shkurtit të vitit 1993, kundër aksionit famëkeq të armëve nga policia serbe, i kishte kaluar përmasat e martirizimit. I madh dhe i vogël ishin të gatshëm për sakrificë dhe vetflijim, mirëpo falë sugjerimeve të institucioneve Republikës së Kosovës dhe rekomandimeve të miqëve ndërkombëtar u tërhoqëm nga rezistenca e armatosur.
Përseri edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, Bokshiqi ishte caku i parë i sulmit të forcave serbe në Komunën e Klinës dhe jo vetëm. Organizimi ushtarak dhe rezistenca ishin në nivelin e duhur për aq sa ishin mundësitë e përballjes me një armik shumfish më të fuqishëm me armatim dhe artileri ushtarake.
Dashuria e vërtetë është hyjnore
Po i kthehem dashurisë dhe ëndërrave për kthim në atdhe, në Bokshiqin e fëmijërisë, edukatës, rritës dhe kalitjes time burrnore. Aty nga nëna Hysnije i mësova ninullat e para, u rrita duke dëgjuar rrëfimet e gjyshërve dhe pleqëve të fshatit për sfidat e jetës dhe sakrificat e panumërta të tyre. U rrita me ndejat nëpër Oda të burrave, me traditat dhe zakonet e bukura popullore, u rrita në harmoni familjare dhe fqinjësi të mirë me të gjithë bashkëfshatarët.
Për herë të parë në moshën 5 vjeçare, nga babai Halili mësova për prejardhjen, origjinën dhe historinë e të parëve tonë nga Kalimashi i Shqipërisë, nga e cila buron edhe emërtimi i lagjës tonë, si Mëhalla e Kelmekshve, emërtim ky i trashëguar ndër shekuj në fshatin Bokshiq.
Bokshiqi është një ndër fshatrat e rralla në Kosovë, në të cilin nuk kanë ndodhur asnjëherë dhe në asnjë kohë vrasje ndërvëllazërore apo ndërfqinjësore. Kjo, përveqse madhështi është edhe krenari e papërshkruar më fjalë.
Respekt dhe mirënjohje atdhetare të gjithë vëllëzërve dhe kusherinjëve, të gjithë fqinjëve dhe bashkëfshatarëve të mi, këtyre njerëzve të mirë dhe atdhetarë, të urtë dhe punëtorë të cilët gjithnjë dijtën të bëhen bashkë në festa dhe gëzime, por edhe në momente të hidhura pikëllimi duke i lehtësuar dhimbjet njëri-tjetrit.
Mirënjohës për jetë e mot prindërve të mi, babait Halilit dhe nënës Hysnije, të dytë edukator dhe pishtarë të arsimit shqip në kohën e tyre.
Mirënjohës dhe falenderues parardhësve dhe trashëgimtarëve, familjarëve të familjes së madhe Zeqa për edukatën e shëndoshë dhe në frymën atdhetare.
Mirënjohës dhe falenderues mësuesit të parë, Enver Rexhepi nga Peja dhe të gjithë arsimtarëve dhe profesorëve të ciklit të mesëm dhe universitar.
E dua qytetin e Pejës sikurse çdo qytet tjetër të Kosovës, por qytetëza e Klinës është më afër zemrës time. Për zemër e kam edhe Mitrovicën, qytetin e studimeve dhe të dashurisë time. Në Mitrovicë përveq dijes u pasurova edhe me bashkudhëtaren e jetës, Sebihanen e cila i dha kuptim dhe rrugëtim të mbarë jetës time. Ishte zonjusha e parë nga qyteti që zbriti në fshatin Bokshiq, në fshatin e 1001 ndodhive historike. Ishte ky një kontrast i madh, por edhe gërshëtim i bukur i traditave qytetare me ato katundare.
Dashuria e vërtetë e kapërcen çdo pengesë në jetë, është hyjnore!
Fizikisht në Itali, me shpirtë e zemër për Bokshiqin legjendar
Edhe pse po bëhen 28 vite në mërgim, asnjëherë dhe për asnjë qast nuk u ndava nga atdheu im. Lidhjet e fuqishme me vendlindjen më shkaktojnë emocione të papërshkruara shpirtërore, mall dhe nostalgji të pakufijshme për Bokshiqin legjendar.
Për të mos thënë çdo minut dhe çdo sekond, për çdo ditë meditojë për fëmijërinë time, meditojë për fushat dhe malet, për kroin e fshatit, meditojë për kohën e rinisë dhe për kohën e pjekurisë time.
Por ja që vitet po ikin shpejt dhe mosha e pleqërisë po më troket tek dera, por unë nuk po i përgjigjem dot, me shpresën që të kthehem shpejt në vendlindje për të shijuar përseri aromën e gjithçkaje të mirë në vendin më të bukur në botë.
Këtë meditim dëshirojë që ta përfundojë me poezinë time, të shkruar shtat vite më parë.
Ëndërra për atdhe
Ditët e gjata në mërgim,
shpresat për kthim n'vendlindje m'i shtojnë.
Të shoh si rritet atdheu im,
ta ndjejë frymarrjen e lirë,
të popullit tim.
Vendlindja ime e shtrenjtë,
këtu n'mërgim rri e vuaj,
me mallin për ty, jetës kornizë i bëj,
panoramë e ndjeshme, këtu në vend të huaj.
E kur të vdes,
dua që dheu i yt të më mbuloj.
Edhe i vdekur, në varr,
aromën e dheut ta shijoj,
nën erën e blinit të djegur ndër shekuj,
ndoshta shpirtin qetësoj!