Përshëndetje nga Aeroporti i Kukësit!

Reportazhe

Përshëndetje nga Aeroporti i Kukësit!

Nga: Haki Latifi Më: 20 prill 2023 Në ora: 11:06
Foto nga vendngjarja

I ndodhur pranë malit të Pikëllimës përbri Gjallicës, ndërsa përball ka Malin Pashtrik apo siç e quante ndryshe kryemjeshtëri i gjuhës shqipe, Pjetër Bogdani; „Mali Mbretëror“.

I projektuar pranë malit të Gjallicës, Aeroporti ndërkombëtar i Kukësit, ka një Kronologji historike, në të cilën ka filluar dhe funksionuar në kohën e mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogu, pastaj u shfrytëzua në kohën e Pushtimit në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa u lënë pas dore gjatë kohës së pushtetit socialist.

Ndërkaq filloi të funksionojë në kohën luftës në Kosovë, 1998-99, përshkak të fluksit të madh të strehuararve, ku mbi gjysëm milion shqiptarë të Kosovës kishin arritur në Kukës pas dëbimit me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Emërtimi „Zayed“ është në nderim të ish-presidentit Zayed bin Sultan Al Nahjan të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo pasi i gjithë financimi i aeroportit është dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

„Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara zbriti në këtë truall në vitin 1999 ku me porosi të të Atit të tij u hap pista për avionët e ndihmave humanitare për viktimat e spastrimit etnik në Kosovë. Ai dhe skuadra e tij u kujdesën bashkë për kampin e refugjatëve të Kukësit ku siç ka dëshmuar dhe ai vetë babai i kishte lënë porosi të posaçme të bënte shumë kujdes që asnjë lloj dallimi fetar të mos kishte kurrsesi në përkujdesjen për familjet e strehuara në kampin e madh. Ajo pistë solidaritet për njerëzit pa dallim ishte pikënisja e këtij aeroporti”, shkruhet bashkangjitur me foton e Princit të Kurorës së Emirateve në aeroportin e Kukësit.

Gjatë kësaj kohe shumë shtete dhe organizta të huaja humanitare e përdorën atë gjatë muajve të krizës e luftës 1999. Aeroporti është financuar si dhuratë për familjet kuksiane me 14.2 milionë dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe për mikpritjen që ata treguan për vellëzërit dhe motrat nga Kosova. Bashkuara Arabe dhanë 14.2 milionë dollarë për ndërtimin e tij, me kushtin që ky aeroport dhuratë banorëve të Kukësit të emërtohej me emrin e Zayed.

Banorët e Kukësit dhe kuksianët duhet ta gëzojnë këtë pasuri, duke gjetë e krijuar modalitetet ligjore.

Qeveria e ish Kryeministrit Sali Berisha e plotësoi kërkesën e donatorit të aeroportit dhe aeroporti u ndërtua e u emertua me vendim të qeverisë Berisha në vitin 2010.

Inagurimi i Aeroportit të Kukësit është bërë, më 18 prill 2021 nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke u bërë dera e dytë me radhë e qiellit shqiptar.

Gjatë procedurës kalimit brenda, shërbimi civil dhe policia kufitare e aeroportit me korrektësi u shërbejnë udhëtarëve për ti dorëzuar bagazhin dhe kontrollin doganor.

Duke shkruar këto rreshta, mu kujtua fillimi i pranverës i vjetit 1999, kur shkuam nga Zvicra me tim vëlla të ndjerin Bacën Ali, në kërkim të famijarëve për ti gjetur në Kukës. Në prillin e vitit 1999, Kukësi ishte qyteti Shqiptar me dendësinë më të lartë të popullsisë. Ku prej javëve të fundit të marsit të po këti vjeti, në qendrën verilindore të Shqipërisë hynin të lodhur e të trishtuar shqiptarët të Kosovës. Mes pasigurisë se a do ktheheshin më në shtëpitë e tyre dhe frikës për jetën e tyre, por nga vëllezërit dhe motrat tanë në Kukës dhe gjithandejnga Shqipëria, gjetën “bukë e kripë e zemër”.

Mu kujtua fluksi i madh i të strehuararve, vuajtjet e tyre nga përndjekjet e terrorit serb, të cilin Europa e kishte harruar qysh nga mesjeta. Këtë terror nga faqet e errëta të historisë e riktheu dhe e bëri realitet makineria vrastare serbe dhe vetëm ata që e përjetuan në lëkurën e tyre zullumin mund të përshkruajnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë ujqërit e veshur me petka njeriu. Ndërgjegjja e botës demokratike ero-perëndimore u provokua thellë atëbotë dhe deri në atë masë, saqë u vu në lëvizje Aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake NATO, për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe ndalimin e gjenocidit që ushtrohej mbi ta.

Ky udhëtim nga ky aeroport në drejtimin Basel (Mulhouse) - Kukës-Basel(Mulhouse), për mua dhe time shoqe ishte një ndjesi e mirë, duke shpresuar, se do jetë një mundësi e mirë edhe për Mërgimtarët shqiptarë dhe Grupet turistike që do ta vizitojnë, përveç Shqipërisë, edhe Kosovën, në veçanti Prizrenin dhe qytetet tjera të Dukagjinit.

Aeroporti i Kukësit u ndërtua në bazë të parametrave ndërkombëtare me pistë 2200 metra i kategorisë C, i njejtë si aeroporti i Podgoricës.

Aeroporti i Kukësit si shumë resurse të tjera humane e natyrore, do ti sherbeje banorëve të qarkut të Kukësit dhe rajonit në veçanti.

Ndërkaq në Aeroportin „Zayed, Flatrat e Veriut”, janë të vendosur brenda edhe një galeri kujtese me momente historike të luftës në Kosovë.

Eshtë Aeroporti i nevoja të shumta, por që së paku kërkon pak durim, më tepër investim e vëmendje nga shteti, pak shpresë… se një ditë do të bëhet edhe më mirë për Qarkun e Lumës që dikur ishte e harruar nga shteti por jo nga Përendia.

Besoj se ky aeroport do të zhvillojë më tutje turizmin e Shqipërisë dhe do të shndërrohet në një fuqi ekonomike të saj.

Për fat të keq, mosfunksionimi i tij prej gati gjysëm viti gjatë stinës së dimrit, për shkak se nuk ka kërkesa dhe për shkaqe teknike nuk është lajm i mirë.

Me këto ndërprerje të fluturimeve, rrjedhimisht do të thot pa turizëm, ku resurset e Kukësit janë mjaft të larmishme, dhe mjaft të lakmueshme, nuk ka zhvillim as nga aeroporti.

E gjithë kjo përsa i përket shtimit të fluturimeve, dhe udhëtarëve drejtë aeroportit të Kukësit patjetër që shteti shqiptar duhet të bëj një plan strategjik për turizmin në Kukës dhe më gjerë për ti joshur edhe grupet turistike që ta shfrytëzojnë këtë aeroport. Ndryshe do duhen kohë e gjatë që të promovohet ky Aeroport.

Ky Aeroport me udhëtarët, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe turistë nga vendet Europiane, që shfrytëzojnë këtë portë të re të qiellit Arbëror ua lehtëson udhëtimin për të kaluar pushimet në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tona.

Ndërsa më e veçanta është se na bashkon edhe më shumë si Kosovë, Shqipëri dhe çdo trevë shqipfolëse.

20 prill 2023

Haki Latifi

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat