Në Pejën poetike, mes bjeshkëve të namuna

Reportazhe

Në Pejën poetike, mes bjeshkëve të namuna

Nga: Vlash Prendi Më: 25 maj 2023 Në ora: 13:28
Pamje nga vendi i ngjarjes

Të ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të qytetit historik të Pejës, në Manifestimin Letrarë - Poetik Tradicional Ndërkombëtar “Peja Poetike - 2023”, së bashku me poetin dhe studiuesin e mirënjohur Llesh Ndoi, jemi nisur për në Grykën e Rugovës, në atë vend piktoresk në gji të Alpeve Shqiptare ku do të zhvillohet ky aktivitet, i XIII në radhë kushtuar të mirënjohurit Shkezen Zhubi. Ftesa na ka ardhur nga shkrimtari dhe poeti i njohur Esat Loshaj, njëherit edhe Kryetar aktual i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës dhe veprimtari dhe intelektuali i njohur Nuradin Imeraj, kryetar i Klubit Kulturorë “Podguri” të Istogut. Po shkonim tek njerëzit tanë të një gjaku, për të shkëmbyer mendime dhe pervoja në organizimin e aktiviteteve të ndryshme letrare dhe artistike, prandaj edhe në doganën e Kalimashit nuk na kontrolluan fare, shenjë kjo që tregonte se kur shkon tek vëllai për festë, kufijtë janë gjithmonë të hapur. Gjatë këtij udhëtimi të kendshëm, bisedat me poetin Llesh nuk kanë të mbaruar. Dominojnë bisedat për kulturën, letërsinë dhe fushën e studimeve. Udhëtojmë drejt qytetit të Prizrenit, vendit ku u mblodh Lidhja Shqiptare, e cila ishte i vetmi institucion legjitim që synoi të bashkonte trojet shqiptare në luftë kundër pushtuesit osman. Tek kundrojmë panoramën e qytetit mesjetar, Lleshi nxjerr nga çanta një nga krijimet e tij më të fundit në poezi, që ka krijuar enkas për t’a lexuar në manifestim dhe ma jep t’a lexoj. Ȅshtë një krijim mjaft i bukur që i kushtohet Kosovës, luftës së saj për liri dhe pavarësi, vuajtjeve të popullit kosovarë ndër shekuj, heroizmit të bijve të saj në luftë me shovinistët serbë. Ndërsa poeti më shihte me vëmendje se si do të reagoja, unë recitova disa vargje nga vjersha: ...O tokë e skuqur me gjak djelmnie, / N’flamuj t’zverdhun kohëve pa jetë / Ngushtë të ndjehet trupi i njomë, / Se ngjyrën e gjakut e don t’a ketë, / E zhgabën krenare në mes, qëndresë / Që lumenjtë tuaj t’mos shterojnë / Të marrin e japin gjak kosovarësh, / Të rrjedhin, e jetë t’falin damarësh! - Ja këtu pasqyrohet heroizmi, shpirti luftarak dhe sakrifica sublime e popullit kosovarë për liri, - konkludova unë. Poetit i ndritën sytë dhe pohoi lehtas me kokë, duke më dhënë të kuptoj se vjersha ishte vërtetë e bukur. Në sejcilin qytet kosovarë që të kalosh, ose të qëndrosh, gjën një copëz historie, një numër jo të vogël krijuesish që jetën dhe veprimtarinë e tyre ia kanë kushtuar vendlindjes së tyre, Kosovës martire.

Pranvera ka ardhur edhe në trojet Dardane dhe gjelbërimi mbizotëron kudo. Ngado sheh toka të mbjella dhe kopshte në lulëzim. Bujku kosovar nuk dëshiron t’ja shtrijë dorën shkjaut për produkte bujqësore, por dëshiron t’i prodhojë me forcat e veta, në tokat e veta. Kjo ishte arsyeja që shumë bujq i shihje tek punonin në arat e mbjella me grurë, misër dhe perime. Jemi në afërsi të qytetit të bukur të Klinës, ku bashkë me Lleshin kemi qënë disa here, madje deri në Zllakuqan, tek vendi ku atë Shtjefën Gjeçovi pati hapur shkollën shqipe, të ftuar nga miku ynë shkrimtari i njohur Mikel Gojani. Natyrisht edhe bisedat për këtë takim nuk kishin si të mungonin mes nesh. Kujtuam mikpritjen e prof. Dodë Ndrecajt, takimin me shkrimtarin e njohur për fëmijë Gjon Gjergjaj dhe takimin emocionues me prof. Anton Nikë Berishën, ardhur nga Prishtina. Kisha lexuar edhe më pare për profesorin e nderuar, madje më kishin mbetur në kujtesë dy libra të tij me studime të shkruara në periudhën kur jepte mësim në universitetin e Cozencës në Itali, atje mes vllezërve të një gjaku ku mblodhi dhe kodifikoi vlerat shpirtërore të tyre duke na dhënë një pasuri të paçmueshme përmes veprave: “Antologji e poezisë gojore arbëreshe” - 1998, me transkriptim të prof. Francesko Altimarit dhe përkthim të prof. Vinçenzo Belmonte. Mbaj mend se studiuesi Llesh Ndoi pati reaguar në shtyp, kur pati lexuar letërkëmbimet e studiuesit të njohur Anton N. Berishaj me poetin e madh Martin Camaj.

Udhëtimi ynë bëhet më i këndshëm kur shpesh komunikojmë me miqt tanë shkrimtarë dhe poetë. Ja tani, para nesh shfaqet panorama e bukur dhe historike e qytetit të Pejës, shtrirë në rrëzë të Alpeve Shqiptare, në gji të Bjeshkëve të Namuna. Kurioziteti të shtyn të dish më shumë kur je në qytetin historik të Pejës, pasi edhe ky qytet ka luajtur një rol mjaft të rendësishëm në luftë ndaj pushtuesit turk dhe atyre serbo - malazez. Mjafton të kujtojmë këtu, se pas rënies së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte pikërisht qyteti i Pejës që shkroi historinë, sepse në këtë qytet u mblodh Lidhja e Pejës me 23 janar 1899 nën drejtimin e patriotit të shquar Haxhi Zeka, me pjesmarrjen e rreth 500 delegatëve të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, ku detyrë parësore u vendos lufta kundër orvetjeve të shteteve fqinje për të coptuar tokat shqiptare. Një nga objektet kulturore dhe fetare më të njohura në këtë qytet të bukur është edhe Patriarkana e Pejës, e cila daton rreth vitit 1557, ndërtuar nga sultan Sulejmani i quajtur i Madhërishëm. Ȅshtë një objekt i rendësisë së vaçantë që ka luajtur një rol të rendësishëm për kohën. Duke shëtitur nëpër qytet bashkë me poetin Llesh Ndoi, dallojmë një objekt tjetër tradicional të Pejës, Qarshinë e vjetër të qytetit, e cila daton që nga shekulli i XV - të dhe paraqet qendrën kryesore tradicionale dhe tregtare të qytetit. Rruga e gjatë në këtë çarshi të njohur, me dugaja të shumta nga të dy anët e saj, përbën një ekzpozitë mjaft të pasur me objekte tradicionale, punime artistike, veshje kombëtare dhe stoli të ndryshme. Në këtë mënyrë mjeshtrit dhe artizanët pejanë, synojnë të ruajn dhe të transmetojnë traditat tona kombëtare brez pas brezi.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Peja është qytet historik, por edhe kulturorë e letrarë, sepse nga Peja e kanë origjinën mjaft shkrimtarë, poetë, dramaturgë dhe studiues të cilët njihen sot në trojet tona mbarëkombëtare dhe më gjërë. Peja qyteti i prof. Mark Krasniqit, etnologut dhe shkrimtarit të shquar, që pati shkruar gjithë jetën për të nxjerrë në pah vlerat kulturore, shpirtërore, artistike dhe etnografike te popullit te vet, veprat e tij pasuan njëra - tjetrën dhe hodhën dritë në historinë dhe traditat shumëshekullore të popullit shqiptarë. Kujtohet me nderim dhe respekt për veprat studimore që pasqyrojnë vlerat shpirtërore të popullit tone. Janë shumë të njohura veprat e tij si: “Kanuni i Leke Dukagjinit” - shqyrtim mbi të drejtën zakonore - 1957, “Kulla në Metohijë” - studim dhe përshkrim dokumentarë - 1957, “Suhareka” - gjurmime antropologjike - 1959, “Shtepia shqiptare në Kosovë” - studim etnografik - 1971, “Gjurmë e gjurmime” - studim etnografik - 1979, “Nga gurra e traditës” - studim etnografik - 1991, “Nga mitologjia shqiptare” - studime 1995, “Rrenjat tona etnike” - studime 2003. Vepra e tij është shumdimensionale, prandaj Peja krenohet me figureën dhe veprën e tij. Por Peja është edhe e shkrimtarit të shquar Ramiz Kelmendi i cili me veprat e tij mjaft të arrira “Heshtja e armëve”, “Kokrra kripe”, “Suzana” etj, qe faktor i rëndësishëm në hedhjen e bazave të letërsisë realiste shqiptare, është e Adem Istrefit, poetit kosovar që gjithmonë në veprat e tij pasqyroi mallin e zjarrtë për vendlindjen. Mjafton të lexojmë veprat e tij “Net kosovare” dhe “Gjerdan lirie”, për të provuar ndjenjat dhe emocionet e një atdhetari të devotshëm që i digjet zemra kurdoherë për atdheun dhe lirinë. Peja është vendlindja e regjisorit dhe dramaturgut të njohur Ekerem Kryeziu, emri i të cilit njihet në mbarë trojet shqiptare jo vetëm si autor i dramës thellësisht patriotike “Epoka para gjyqit”, në themel të së cilës janë dy figurat qëndrore të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi, por edhe punës së tij si producent filmash artistikë si “Kur pranvera vonohet” dhe “Gjurmë të bardha”. Madje kur po xhironte këtë të fundit në vitet 1980, burgoset nga forcat serbe së bashku me personalitetin e shquar të lëvizjeve patriotike kosovare Ukshin Hotin. Në Pejë ka lindur edhe poeti i njohur Qerim Ujkani, autor i vëllimeve poetike mjaft të njohura në letërsinë shqipe si “Hullinat”, “Tingujt e vendlindjes”, “Pagëzimet” etj, me të cilat shpalosi etjen për liri dhe dashurinë për vendlindjen e tij. E kujtoj poetin e njohur Qerim Ujkani përmes vëllimit të tij poetik “Gjaku im”, botuar nga SHB “Naim Frashëri” në vitin 1980. Lleshi e pasuron më tej listën e shkrimtarëve dhe poetëve pejanë që ka lexuar vitet e fundit si Demë Gashi, Estref Bardhi, Valon Gashi etj, për të cilët më flet me respekt dhe mirënjohje për veprimtarinë e tyre krijuese.

Ndërsa vizitojmë objektet kulturore të qytetit të Pejës, më vjen në kujtesë studiuesi i njohur, folkloristi i shquar pejanë Demush Shala, i cili vitin e ardhshëm do të festonte 95 vjetorin e lindjes, por fatkeqësisht profesori nuk jeton më, pasi ka 35 vjet që është ndarë nga jeta, duke na lënë një numër të konsideruar veprash dhe duke pasuruar tej mase korpusin folkloristik shqiptar, sidomos Ciklin e Kreshnikëve. Veprat e tij mjaft të njohura si “Mbi epikën popullore historike”, “Këngë popullore legjendare”, “Këngë popullore historike”, “Këngë popullore lirike” etj, janë një pasuri me vlera të veçanta për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar. Teksa marrim rrugën drejt Grykës së Rugovës, për tëk resorant “Bjeshka”, i cili ka marrë inisiativën për mbështetjen e aktivitetit, bashkë me studiuesin dhe poetin Llesh Ndoi, na vijnë në mendje edhe shumë shkrimtarë dhe poetë të tjerë pejanë si Kujtim Shala, Shaip Grabovci, Gani Bobi, Kristë Berisha, apo Njazi Sulça, autor i mbi 85 veprave letrare, që sot jeton në Ankara të Turqisë. Duhet të theksoj se thellë në ndërgjegjen time më ka mbetur veprimtaria patriotike, letrare dhe heroizmi i pashembullt i poetit dhe këngëtarit të talentuar nga Peja, Jusuf Gërvalla. Poetin dhe shkrimtarin e njohur pejanë Jusuf Gërvalla e kam njohur rreth vitit 1982, ku në libraritë tona doli përmbledhja e tij poetike “Bekimi i nënës" – poezi, SHB “Naim Frashëri”, Tiranë 1982, marrë nga librat “Fluturojnë e bien”, “Kanjushë e verdhë” dhe “Shenjat e shenjta”. Sipas të dhënave biografike, rezulton se ai ishte shkrimtarë, këngëtarë dhe veprimtarë i njohur për çështjen kombëtare shqiptare, autor këngësh dhe poet i njohur. Shembulli i këtij veprimtari dhe krijuesi të shquar është pike referimi për intelektualët, veprimtarët, shkrimtarët dhe atdhetarët e përkushtuar për çështjen e atdheut. Ky atdhetar i njohur, u vra mizorisht nga Shërbimi Sekret jugosllav, më 17 janar të vitit 1982, së bashku me të vëllanë Bardhoshin dhe patriotin Kadri Zeka duke lënë gjurmë të pashlyera heroizmi në kronikën historike të lirisë së Kosovës. Lleshi shton se edhe romani i tij “Rrotull”, botuar një vit më vonë, përbën një sukses të dukshëm në letërsinë tonë.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kështu, duke biseduar këndshëm me poetin Llesh Ndoi, kemi hyrë në zemër të Bjeshkëve të Namuna, drejt Grykës së njohur të Rugovës. Bjeshkët e Namuna që ishin edhe vendqëndrimi mitologjik i kreshnikëve të Jutbinës kanë një gjatësi prej 97 km. me një shtrirje meridionale dëri në grykën e Rugovës, ku dallohen malet më të njohura në këtë rajon, si ai i Junikut me majën më të lartë në këto bjeshkë, Gjeravicën 2656 m, mali i Bogiçajt dhe Kopranikut ku gjendet gryka e Rugovës në mes të cilëve kalon Lumëbardhi ose Bistrica e Pejës. Megjithse pranverë, majat e bjeshkëve zbardhnin akoma nga dëbora. Të mrekullojnë bukuritë natyrore dhe gjelbërimi i pafund i luginës së lumit të Bistricës, i cili kalon mes për mes qytetit të bukur të Pejës, pamja madhështore e këtyre maleve, shkrepave dhe kanioneve që rrallë i gjen nëpër trevat tona. - Ja, në këto bjeshkë të bukura dhe krenare lindi dhe u rrit edhe studiuesi dhe politikani legjendar prof. Ibrahim Rugova, - thotë Lleshi. Heroi i Kosovës ka lindur në komunën e Istogut, atje mes bjeshkëve në zemër të Alpeve Shqiptare, atje u rrit dhe u edukua me ndjenjën e zjarrtë të dashurisë për atdhe. Jetën e tij ia kushtoi Kosovës martire, madje ishte ky udhëheqës legjendar që projektoi dhe publikoi Republikën e Kosovës dhe dy simbolet e shtetit etnik, si flamurin dhe himnin e Kosovës. Ka lënë gjurmë të thella edhe në fushën e studimeve dhe analizave historike si autor i rreth 16 veprave studimore dhe shkencore. Ndërkohë kemi arritur tek restorant “Bjeshka”, ku do të zhvillohet edhe aktiviteti i radhës, Manifestimi Letrar - Poetik Tradicional Ndërkombëtar “Peja Poetike 2023”, Ora e madhe letrare “Shkëlzen Zhubi”. Jo rastësisht, aty mes bjeshkëve të bukura të Rugovës janë mbledhur shkrimtarë dhe poetë nga të gjitha trojet tona amtare, që me poezitë e tyre do të zgjojnë Zanat, do të ngjallin Mujin dhe Halilin, do të vajtojnë me Ajkunën. Do të gjëmojnë Bjeshkët e Namuna në këtë ditë të shenjtë poetike nga zëri melodioz i poetëve tanë të njohur. Dikush nga poetët ndahet nga turma dhe na uron “mirëseardhjen”. Ȅshtë poeti Idriz Gashi, njëherit edhe nënkryetar i “Shoqatës së Shkrimtarëve Papa Clementi XI”, që vepron në Suedi. Me Idrizin jemi takuar disa herë në kuadër të aktiviteteve që ka organizuar kohë pas kohe kjo shoqatë në mbarë trojet shqiptare. Poeti Gashi ka botuar disa vëllime me poezi si “O jeta ime”, “Po të pres”, ndërsa vitin e kaluar kishte botuar edhe dy të tjerë “Mollë e kafshuar” dhe “Dëshirë mërgimtari”, të cilët na i dhuroi bujarisht në shenjë respekti dhe mirënjohje. Takohemi me vëllezërit tanë poetë, ardhur nga të gjitha trojet tona, si të njohur të vjetër, sepse poetët flasin me zemër dhe kuptohen me shpirt. Më thonë se mikpritësi është organizatori i takimit, Kryetari i lidhjes së Shkrimtarëve të Pejës Esat Loshaj. Megjithse kam qënë disa here në qytete të Kosovës si pjesmarrës në aktivitete të ndryshme letrare dhe historike, me Esatin takohesha për herë të pare. I lindur në vitin 1954 në Deçan, por që prej vitit 1975 jeton dhe krijon në Pejë, sot kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të këtij qyteti. Ka studiuar letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës, është autor i katër veprave letrare si “Qëndresa”, “Me diell në duar”, “Sytë e dritës”, “Kjo është jeta”, përmes të cilëve ka treguar se është një nga poetët më të shquar në trojet dardane. Bashkë me të na përshëndet edhe veprimtari i njohur dhe intelektuali i spikatur Nuradin Imeraj, Kryetari i Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve “Podguri” në qytetin i Istogut. Ambientet e restorant “Bjeshka” me pronar z. Agron Nikçin, i cili ka mbështetur gjithnjë aktivitetet e kësaj lidhje, janë zbukuruar si për ditë feste. E natyrisht festë është, sepse festojnë poetët e sofrës “Peja Poetike” në edicionin e tyre të XIII - të. E hap manifestimin e madh kulturorë prezantuesja dhe poetja e njohur Ajne Iberhysa, e cila na prezanton së pari rapsodin e njohur Enver Moluka që këndoi plot pasion me sharki një këngë të bukur patriotike. Zëri i tij jehoi mes bjeshkëve, si për të treguar se endë buçasin ndër Bjeshkët e Namuna ndjenjat e heroizmit, poezia dhe kënga.

Pastaj e merr fjalën z. Esat Loshaj, i cili pasi falenderon pjesmarrësit në këtë manifestim letrar, prezanton programin ku është parashikuar, që shumica e poetëve të recitojnë vargjet e tyre të bukura plot ndjenjë dhe freski. Ȅshtë i emocionuar Esati, sepse në këtë takim prezantohet për here të pare vepra e studiuesit Veli Kajtazi kushtuar jetës dhe aktivitetit letrar të këtij shkrimtari të njohur me titull: “Esat Loshaj - 50 vjet veprimtari”. Kjo monografi dokumentare, në 425 faqet e saj ngërthen ngjarje, situata, arritje dhe vlerësime për jetën dhe veprimtarinë letrare dhe artistike të këtij intelektuali të njohur. I ndjekim bashkë me poetin Llesh Ndoi recitimet e poetëve pjesmarrës dhe diskutojmë rreth vlerave patriotike dhe artistike të krijimeve të tyre. Dëgjojmë poezinë e bukur të poetit të njohur Nebih Bunjaku, i cili është autor i disa vëllimeve me poezi, mes të cilëve mund të dallojmë ”Terapia e dashurisë”, “Testamenti i lotit”, “Kopshti i shpirtit” etj. Poezia e tij u duartrokit nga pjesmarrësit duke treguar nivel të lartë jo vetëm krijimi, por edhe interpretimi. Poeti i njohur Hasan Hasani është shprehur dikur për poezinë e Bunjakut se: “…Nuk është e vështirë të hetohet se në vargun e Nebih Bunjakut edhe ironia, satira e humori, kanë vlera të veçanta, ngaqë problemet me të cilat ballafaqohet populli ynë, nganjëherë të çojnë deri të këto cilësi veprimi”. Në podium ngjitet humanistja e shquar, heroina e luftës për liri, poetja e shquar Flora Brovina. E kam njohur mjeken humane dhe poeten e njohur përmes poezisë saj të bukur, emocionante dhe tingëlluese që përpara tre dekadash, kur nga SHB “Naim Frashëri” u botua vëllimi i saj poetik “Luleborë”, përmbledhje poetike e marrë nga dy librat e saj botuar në Prishtinë “Vema emrin tim” - 1973 dhe “Bimë e zë” - 1977. Dhe tani na e solli rasti t’a takojmë këtë personalitet të shquar, të bisedojmë me të për të kaluarën e hidhur të saj gjatë luftës në Kosovë dhe të flasim për punën krijuese. Emocionohet heroina kur kujton luftën e popullit kosovar kundër shovinistëve serbë, kur kujton momentin e bombardimit të Forcave të NATO - s mbi pushtuesit mizorë të trojeve dardane, kur mjekonte në spital vëllezërit e saj të plagosur. Në vitin 1999, Flora Brovina që arrestuar për veprimtari patriotike dhe politike dhe që dënuar 12 vite burg. Pikërisht këto vuajtje të pazakonta, këto tortura çnjerëzore, solli poetja e njohur përmes poezisë së saj para auditorit, duke merituar duartrokitjet e të pranishmëve.

Mes të atmosferes festive, lexojnë plot emocion poezitë e tyre poetët Indire Hoxha, poeti mirditor Llesh Ndoi, Ajete Pavacaj, poetja nga Prizreni Arbëresha Berisha, Kryetari i Shoqatës Kulturore dhe Artistike “Bytyqi” Agron Isa Gjedia, Idriz Gashi etj. I dha larmi dhe hijeshi takimit pjesmarrja dhe interpretimi i z, Vlora Hadri, vajza e studiuesit të shquar Ali Hadri, emri i të cilit ka lënë gjurmë të thella në historiografinë shqiptare. Gjatë gjithë jetës së tij, ai iu përkushtua studimeve thellësisht shkencore për përiudhën e Ilirëve, ngjarjet që ndodhën në shekullin XV, epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Luftën Nacional - Çlirimtare në Kosovë, Jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit, veprimtarinë e Fan Nolit, aktivitetin patriotik të Bajram Currit etj, duke na lënë një korpus veprash të rralla në lëmin e historisë. Tani, vajza e tij poete, njëherit edhe inspektore në Ministrinë e Arsimit të Kosovës, krijon dhe lexon plot emocion një vjershë të bukur. Më tej, atmosferën e ndez këngëtarja e vogël 8 vjeçare Eliza Duna, e cila interpretoi dy këngë të bukura patriotike kosovare. Ajne Iberhysa është poete dhe prezentatore e aktivitetit. Lleshi më thotë se gjatë një bisede i kishte treguar se ishte me origjinë nga Mirdita, saktësisht nga Oroshi. Madje kishte shprehur dëshirën për t’i vizituar trojet e të parëve dhe për të njohur njerëzit e mire, traditat dhe bujarinë e mirditorëve, që banojnë në ato anë. Emocione të papërshkruara u krijuan kur prezantuesja i dorëzoi Çmimin e Karrierës z. Nurie Loshaj - Kastrati për veprimtari intelektuale dhe humane në komunitet. Jo rastësisht ndodh që motra vlerësohet nga vëllai i saj poet, duke vënë në dukje vlerat intelektuale, humanitare, mësimore dhe njerëzore. Pastaj u ndanë edhe çmime dhe emirënjohje të tjera për poetë dhe krijues që morën pjesë në këtë manifestim të bukur dhe me shumë vlera.

Në këtë kuadër, një çmim u rezervua për shkrimtarin e madh Ismail Kadare, për punën, aktivitetin dhe krijimtarinë e tij në sherbim të çështjes kombëtare. Artan Admeta u vlerësua si poeti i vitit, ndërsa Vlora Hadri u vlerësua si poetja e vitit. Ajne Iberhysa u vlerësua me çmim të pare, Arjola Kondakçi me çmim të dytë, Besim Abdyli me çmim të tretë, ndërsa Arbëresha Berisha u vlerësua me çmim inkurajues. U vlerësua me çmim edhe poeti i njohur mirditorë Viktor Gjikolaj, për krijimtarinë e tij plot ndjenjë dhe nivel ideo - artistik. Gjatë pushimit patëm mundësi të shkëmbenim mendime, eksperienca krijuese dhe libra me disa nga krijuesit pjesmarrës nga të gjitha trevat shqiptare. Biseda me Berat Batiun, drejtor i Shtëpisë Botuese “Fidani” në Prizren është mjaft e përzemërt dhe miqësore. Berati është krijues, poet dhe prozator për fëmijë. Për 40 vjet me radhë ka qënë mësues, ku ka dhënë kontributin e tij në mësimin dhe edukimin e brezave në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizrenin e lashtë. Me shumë respekt dhe emirënjohje Berati na fton së bashku me poetin Llesh Ndoi, në aktivitetin mbarëkombëtar që shtëpia e tij botuese “Fidani” do të zhvillojë me rastin e 145 vjetorit të themelimit të Lidhjes së Prizrenit. Takohemi dhe bisedojmë edhe me poetin Nebih Bunjaku, Flora Brovina, Arbëresha Berisha, Ali Kelmendi, Ajne Iberhysa, Gjokë Sokoli, Nurie Baduni etj, të cilët na falenderuan për pjesmarrjen dhe kontributin e dhënë në krijimtari. Esat Loshaj na flet me superlativa për veprimtarinë tone letrare dhe pjesmarrjen në aktivitet. Ai na fton pa hezitim edhe në veprimtari të tjera, që do të organizojë Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës. Ndahemi plot emocion dhe mirënjohje nga poetët dhe krijuesit pjesmarrës në Manifestimin Tradicional “Peja Poetike 2023”, për t’u takuar serish në aktivitete të tjera.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat