Rosuja

Reportazhe

Rosuja

Nga: Lulzim Logu Më: 18 gusht 2024 Në ora: 08:39

Ndër vite kam udhëtuar shpesh në Rosujë, sidomos me nxënësit e mi kur isha mësues në shkollën e Bujanit dhe gjithmonë jam entuziasmuar dhe prekur emocionalisht nga madhështia e pejsazhit magjepsës, por edhe e historisë që mbart ajo lidhur me të shkuarën e largët të kombit tonë. Dhe më ka shoqëruar vazhdimisht ndjenja e trishtë e harrimit dhe injorimit tonë fatkeq ndaj dëshmive madhore të qytetërimit tonë të hershëm. Sikurse dhe ekzaltimi i sinqertë ndaj zhvillimit të infrastrukturës viteve të fundit, rrugëve të reja në zonë, kthimet nga emigracioni dhe investimet me karakter ekonomik, kulturor dhe turistik.

Pak kujtesë historike…

Rosuja është qytezë ilire në veriperëndim të fshatit Bujan të Tropojës. Gërmimet arkeologjike janë bërë më 1963-1964. ( B.Jubani, Ceka Neritan. Gërmime në qytezën ilire të Rosujës (rrethi i Tropojës) / In: Iliria, vol. 1, 1971. )

Fillimet e jetës i takojnë periudhës së hershme të hekurit. Në shek.IV p.e.s. zhvillohet si qendër kryesore qytetare e luginës së Valbonës. Sipërfaqja prej 0.6 ha është e rrethuar me mur gurësh të punuar. Rosuja luante rol me rëndësi në rrugën natyrore tregtare midis Ilirisë bregdetare dhe Dardanisë. Janë gjetur prodhime qeramike të Dyrrahut dhe Rodit, monedha të Apolonisë, Dyrrahut e Skodrës. Në shek.IV-VI e.s., pas një ndërprerje prej katër shekujsh, Rosuja u rifortifikua me mure të lidhura me llaç.Qytezë e fortifikuar ilire që ndodhet në prendim të lagjes Rosujë të fshatit Bujan, rreth 6 km në jugperëndim të qytetit Bajram Curri.

Ajo ngrihet mbi kurrizin e dy valëzimëve shkëmbore në mes të përroit të të Grazhdanit në lindje dhe atij të Gashit në perëndim.

Gërmimet arkeologjike të bëra në Rosujë gjatë viteve 1963-1964 kanë dhënë mjaft dëshmi mbi historinë e lindjes dhe zhvillimit të kësaj qyteze.

Materiali i pasur arkeologjik i zbuluar këtu si: vegla pune prej stralli, enë e objekte të tjera balte, vegla pune e armë hekuri, zbukurimore dhe monedha ari dhe argjendi, etj. treguan se kjo qendër ish banuar që në fundin e mijëvjeçarit të dytë para erës sonë, dhe vazhdoi të banohet deri në shek. e V të erës sonë.

Kultura e vendbanimit paraqet ngjajshmëri të mëdha me materialet e zbuluara në qytezën e Gajtanit (rrethi i Shkodrës) e qendra të tjera jugore të vendit tonë. Këtej del edhe karakteri etnik ilir i banorve të qytezës dhe tërë krahinës së Tropojës.

Që nga shek. IV p.e.s. Rosuja u bë qëndra më e rëndësishme zejtaro-tregëtare dhe administrative e krahinës. Monedhat e Shkodrës, Durrësit dhe Apolonisë të gjetura në Rosujë, tregojnë për lidhjet tregëtarë të kësaj krahine me qytetet tjera ilire.

Ndërsa hambari me pitosa (enë të mëdha balte për mbajtjen e grurit) dhe gruri i zbuluar këtu tregojnë se qysh në shek. e IV – III p.e.s. krahina kish arritur nivel të lartë zhvillimi edhe në prodhimet bujqësore.

Muret fortifikuese, të ngritura herë pas here, dhe shtresa masive e djegjes në shek. e II p.e.s. janë deshmi e qëndresës të paraardhësve tanë ilirë kundër sulmeve grabitçare të pushtuesëve të huaj. Në pjesën më të madhe të kësaj qyteze ruhet edhe sot fragmenti i një kulle të vendosur mbi murin rrëthuës të kohës romake.

Sot…

Shkëlqimi historik i Rosujës ka mbetur në faqet e veprave arkeologjike të studjuesve të nderuar brënda dhe jashtë vendit, objektet e zbuluara të cilat ruheshin një pjesë në Muzeun Historik të Tropojës humbën dhe u shkatërruan në vitin e mbrapshtë 1997 dhe eksponatet e tij bosh vuajnë tashmë mungesën e madhe të tyre.

Në shpatet e Rosujës, në vendin e gërmimeve arkeologjike, tashmë bimësia ka pushtuar pa mëshirë fragmentet prej guri të qytezës ilire, veç vendasit mund ta gjejnë hyrjen e dikurshme skaj shpellës së thellë, e cila ka hyrje minimale, por shtrihet me qindra metra thellë dhe ngjitet lakadredhas kodrës kah malet.

Rruga e hershme automobilistike, e cila shfrytëzohej edhe për tërheqjen e gështenjave gjatë pikut të prodhimit të tyre, por edhe shtigjet alternative të cilat të çonin tek qyteza, tash kanë humbur dhe janë degraduar, mungojnë tabelat treguese dhe orientuese dhe asesi ta kuptosh qëndrimin tonë si shoqëri dhe shtet ndaj kësaj trashëgimie të rëndësishme historike, pjesë krenare e rrënjëve tona dhe identitetit tonë kombëtar.

Në këto kohë të bumit turistik, të vërshimit nga të gjitha anët e botës të turistëve, kur sidomos malet tona janë objektiv super i orientuar dhe interesant për tu vizituar, që nga majat e Alpeve, lumenjtë dhe ujvarat malore, por edhe pikëtakimet me historinë, a nuk do të duhej të ishte Rosuja si vendbanimi më i famshëm i origjinës tonë ilire, një destinacion themelor turistik, me hartën, sitet dhe guidat shoqëruese turistike?!

Ndërkohë që ndoshta edhe emri i saj është harruar dhe në ndonjë moment ndërdyshaz marrim një çast kohë për të kujtuar se çfarë përfaqëson në të vertetë Rosuja në konceptin tonë bashkëkohor…

Kur fare mirë mund ta përdorim emrin e saj, çastin historik, zbulimet e shumë objekteve të ruajtuara akoma si fakt dhe dëshmi e pozicionit dhe orientimit të vendit tonë në fatin e tij karshi kombeve të tjerë.

Fshati i Rosujës…

Nga Bajram Curri deri në Rosujë e më pas deri në Geghysen rruga e asfaltuar duket bukur në pejsazhin zbukuruar nga shtëpitë e reja dhe tokat e mbjella me dru frutorë dhe në qëndër të fshatit, në pikën më dominante të tij spikat Rezidenca Doshlani, ndërtuar nga Bislim Elezi i cili ka rreth 30 vjet që punon jashtë vendit dhe është kthyer në tokën e tij, trashëgim prej të parëve.

Për të ngritur në vazhdim këtë residencë shoqëruar me bujtina, duke e shndrruar sipërfaqen prej disa hektarësh në një destinacion turistik. I cili padyshim se do të ishte i sukssesshëm falë pozicionit gjegrafik, pasurive të florës dhe faunës, ushqimit tradicional, por mbi të gjitha për gërshetimin e këtyre vlerave me historinë dhe dëshmitë e saj.

Kjo do ti jepte çdo udhëtari, turisti apo aventurieri një mundësi për tu joshur dhe dashuruar me këtë vend dhe kësisoj një pike e re në hartën tashmë të njohur turistike të Malësisë së Gjakovës, krahas Luginës së Valbonës, Lumit të Gashit, Nikaj-Merturit, Podit të Gështenjave, Livadheve të Padeshit etj.

E vizitojmë rezidencën dhe tokat, pronë e tij ,të mbjella rishtas me shumë kultura frutore, rrugën e sistemuar me fondet e familjes, ndërkohë që Bislimi dhe djali i tij, së bashku me familjen na shoqërojnë, ndërsa një ekip i Tv Syri Vision, me gazetaren e njohur Eldita Mullahasani dhe operatorët e talentuar Valon dhe Vullnet Nixha po xhiron për një emision mbi të ardhmen e turizmit malor dhe hulumtimet e rrugëve të reja të promovimet të tij në nivel të fshatrave turistikë.

Dhe një inisiativë si kjo e Bislim Elezit shërben vertet si nxitje edhe e banorëve të tjerë të kësaj zone për ti dhënë jetë një dimensioni të ri, krahas atij të njohur historik.

Rosuja ka nevojë për vëmëndje të shtuar të studjuesve, për kërkime dhe gjurmime të reja siç ka nevojë të dukshme të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, për ta risjellë në kujtesën e zgjuar të çdo shqiptari me investime përkatëse, për ta shndrruar në një destinacion sa historik, aq dhe turistik.

Kur mendon se ndodhet jo më shumë se 6 km nga qyteti dhe në nje terren kryesisht të butë malor, rikthimi i Rosujës , vendbanimit të lashtë ilir në një qendër lehtësisht të vizitueshme, shpalimi para publikut i vlerave akoma të pahumbura në sipërfaqe dhe thellësi si dhe shtimi i sensibilizimit ndaj faktorëve shkencore për një qasje më novatore në këtë drejtim, padyshim se do të sillte edhe entusiazmin e duhur të komunitetit venda për investime dhe kthimin e zonës në një oaz të dëshiruar turistik për traditat etnografike dhe jo vetëm.

Shëmbulli I Bislim Elezit si pioneri i parë jep shpresë dhe ngjall kërshërinë e merituar…

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat