Dy rusë e kanë vendosur të premten një rekord për qëndrimin më të gjatë të pandërprerë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), sipas Agjencisë Hapësinore të Rusisë, Roskosmos.
Roskosmos tha se Oleg Kononenko dhe Nikolai Chub thyen rekordin e mëparshëm prej 370 ditësh, 21 orësh dhe 22 minutash, i cili ishte vendosur në shtator të vitit 2023 nga rusët Sergei Prokopiev dhe Dmitry Petelin, dhe amerikani Francisco Rubio.
Chub dhe Kononenko do të qëndrojnë edhe disa ditë më tepër, para se të kthehen në Tokë siç është planifikuar më 23 shtator.
Kononenko, 59 vjeç, mban rekorde të tjera për kohëzgjatjen në hapësirë, përfshirë kohën më të gjatë kumulative në hapësirë: 1.110 ditë gjatë pesë misioneve deri në momentin kur ai do të ketë zbarkuar në Kazakistan në fund të këtij muaji.
Astronautja e NASA-s me ditët më të gjata kumulative në hapësirë, Peggy Whitson, renditet e teta në nivel ndërkombëtar. Whitson ka qëndruar në hapësirë për gjithsej 675 ditë në tri misione të gjata dhe një mision të shkurtër.
Dy astronautë amerikanë, Butch Wilmore dhe Suni Williams, të cilët aktualisht ndodhen në ISS, kanë qëndruar rastësisht në stacionin hapësinor për pjesën më të madhe të qëndrimit rekord të rusëve.
Pasi NASA dhe Boeing identifikuan rrjedhje heliumi dhe probleme me kontrollet e reaksionit në kapsulën hapësinore Starliner të astronautëve, u mor vendimi për të kthyer kapsulën pa dyshen Wilmore dhe Williams dhe për t'i mbajtur ata në ISS për sigurinë e tyre.
NASA tha se kthimi i Starlinerit pa ekuipazh ia mundësoi asaj dhe prodhuesit të tij, Boeing, të vazhdonin mbledhjen e të dhënave të testimit duke mos paraqitur rrezik për ekuipazhin.
NASA ka marrë parasysh se qëndrimi i zgjatur i astronautëve do të thotë se ata nuk do të jenë në Tokë për zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor. Dy astronautët thanë në një konferencë për shtyp më 13 shtator se ata do të kenë ende mundësinë të votojnë në zgjedhje dhe do të përdorin satelitët për të dërguar votat e tyre në Tokë.
Dy astronautët amerikanë pritet të kthehen në Tokë në shkurt./REL