Shkencëtarët studiuan sjelljen njohëse të astronautëve që kanë kaluar gjashtë muaj në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës – dhe bënë disa zbulime magjepsëse, por jo të mira.
Siç përshkruhet në një punim të botuar në revistën Frontiers, ekipi i udhëhequr nga studiuesja e NASA-s për Shëndetin e Sjelljes dhe Laboratorin e Performancës, Sheena Dev, zbuloi se performanca njohëse e astronautëve nuk u dëmtua dukshëm pasi ata u kthyen në Tokë.
Megjithatë, një seri testesh zbuluan se aftësitë e tyre njohëse u ngadalësuan ndërsa ishin në hapësirë, “duke sugjeruar se shpejtësia e përpunimit, memoria vizuale e punës, vëmendja e qëndrueshme dhe prirja për njohjen e rrezikut”, ishin fushat më të ndjeshme ndaj ndryshimit.
Por, bëhet e ditur se çfarëdo ndryshimi që merr truri i njeriut në hapësirë, ai nuk duket të jetë i përhershëm, shkruan yahoonews.
Gjithsej 25 astronautë profesionistë iu nënshtruan një sërë testesh – të dizajnuara për të studiuar shpejtësinë dhe saktësinë njohëse – para, gjatë dhe pas qëndrimit të tyre gjashtëmujor në bordin e stacionit hapësinor.
Studiuesit zbuluan se shpejtësia, memoria e punës dhe vëmendja e tyre ishin më të ngadalta sesa në Tokë.
“Performanca e ngadalësuar në vëmendje, për shembull, u vu re vetëm herët gjatë misionit, ndërsa performanca e ngadalësuar në shpejtësinë e përpunimit nuk u kthye në nivelet bazë deri pasi misioni mbaroi dhe ekuipazhi u kthye në Tokë”, vuri në dukje Dev në deklaratën e saj.
Ekipi gjithashtu nuk përjashtoi efektet e stresit, i cili mund të çojë në një ngadalësim të ngjashëm të përkohshëm të aftësive njohëse në Tokë.
“Fushat e tjera, si kujtesa, janë më pak të prekshme”, vuri në dukje Dev.
“Për shembull, nëse ndodh që keni një ditë vërtet të ngarkuar, por nuk keni mundur të flini shumë një natë më parë, mund të ndiheni sikur është e vështirë t’i kushtoni vëmendje ose se keni nevojë për më shumë kohë për të përfunduar detyrat”, shtoi ajo.
Shkurtimisht, “fushat më të cenueshme ndërsa astronautët janë në bordin e ISS janë të njëjta me ato që janë më të ndjeshme ndaj stresit në Tokë”.
Duhet bërë akoma më shumë kërkime për të kuptuar pse ndodhin pikërisht këto ndryshime, të cilat shtojnë shqetësime të tjera shëndetësore për astronautët, duke filluar nga humbja e densitetit të kockave te atrofia e muskujve e deri te përkeqësimi i shikimit.