Temperatura e tokës së ngrirë përgjithmonë, ose permafrostit malor në Evropë, është rritur për 1 gradë Celsius gjatë 10 viteve të fundit, sipas një studimi të ri shkencor të publikuar të martën.
“Ngrohja e permafrostit malor është e rëndësishme dhe e dukshme në të gjitha rajonet, thellësitë dhe periudhat kohore që kemi analizuar”, tha një nga autoret e studimit, Jeannette Nötzli, e cila punon në Institutin Zviceran për Kërkime mbi Borën dhe Ortet në Davos.
Permafrosti i referohet tokës dhe nëntokës që mbetet në temperatura nën zero gradë Celsius për disa vite.
Zonat e ftohta ku ndodh permafrosti, si rajonet malore dhe polare, reagojnë veçanërisht fuqishëm ndaj ndryshimeve klimatike.
Studimi, i publikuar në revistën Nature Communications, tregon se rritja e temperaturës së permafrostit në rajonet malore të Evropës është, në disa raste, po aq e lartë sa në Arktik, me ngrohjen më të madhe të zbuluar në vendet më të larta dhe më veriore.
“Kur temperaturat në permafrostin e pasur me akull afrohen drejt zeros, ngrohja ngadalësohet ndjeshëm dhe pothuajse ndalon, pasi nevojitet energji për të shkrirë akullin në nëntokë”, thuhet në deklaratën e institutit.
“Pasi akulli në permafrost shkrihet, temperaturat fillojnë të rriten përsëri”, shkruan më tutje.
Ndryshe, rreth 5 për qind e Zvicrës përbëhet nga permafrosti, zakonisht në shkëmbinj të ftohtë dhe në lartësi mbi 2500 metra mbi nivelin e detit.