Ukraina mbledh miliona orë pamje nga dronët për të trajnuar modelet me AI

Shkencë & Teknologji

Ukraina mbledh miliona orë pamje nga dronët për të trajnuar modelet me AI

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Ndërsa e ardhmja e luftës drejtohet nga Inteligjenca Artificiale (Al), Ukraina është pranë një burimi të vlefshëm: miliona orë pamje nga dronët që mund të përdoren për të trajnuar modelet me Al për të marrë vendime në fushën e betejës.

Al është përdorur nga të dyja palët në fushën e betejës gjatë agresionit rus në Ukrainë për të identifikuar objektivat, duke skanuar imazhet shumë më shpejt se sa një njeri.

Bëhet e ditur se Oleksandr Dmitriev, themeluesi i OCHI, një sistem digjital ukrainas jofitimprurës i cili analizon videot nga dronët në vijën e frontit, njoftoi se sistemi i tij kishte mbledhur 2 milionë orë, ose 228 vjet, video të fushës së betejës nga dronët që nga viti 2022.

“Kjo do të sigurojë të dhëna jetike që AI të mësojë”, tha Dmitriev.

“Ky është ushqim për AI: nëse doni të mësoni një AI, i jepni 2 milionë orë video, ajo do të bëhet diçka e mbinatyrshme”, shtoi ai.

Sipas Dmitriev, pamjet mund të përdoren për të trajnuar modele me Al në taktikat luftarake, zbulimin e objektivave dhe vlerësimin e efektivitetit të sistemeve të armëve, shkruan Reuters.

“Është në thelb përvoja që mund të shndërrohet në matematikë”, tha ai, duke shtuar se një program i AI mund të studiojë trajektoret dhe këndet në të cilat armët janë më efektive.

Siç raportohet, sistemi u krijua fillimisht në vitin 2022 për t’u dhënë komandantëve ushtarakë një përmbledhje të zonave të tyre në fushën e betejës duke u treguar atyre pamjet e dronëve nga të gjitha ekuipazhet aty pranë në një ekran.

Pasi sistemi u prezantua, ekipi që e drejtonte kuptoi se video që dërgohej me dron mund të ishte e dobishme si një regjistrim i luftës – kështu që ata filluan ta ruanin atë.

Ndryshe, Ukraina ka gjithashtu një sistem tjetër, të quajtur Avengers, i zhvilluar nga ministria e saj e Mbrojtjes, i cili centralizon dhe mbledh video nga dronët dhe CCTV.

Ministria nuk pranoi të jepte informacion në lidhje me këtë sistem.

Megjithatë, më parë ka thënë se Avengers vëren 12,000 pajisje ruse në javë duke përdorur mjete identifikimi me AI.

Mijëra dronë tashmë po përdorin sisteme të AI për të fluturuar në objektiva pa pilotim njerëzor dhe Ukraina po përdor teknologjitë për të ndihmuar në çminimin e territorit të saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat