Skenarët/ Nëse do të ndodhte një stuhi diellore

Shkencë & Teknologji

Skenarët/ Nëse do të ndodhte një stuhi diellore

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Imagjinoni sikur energjia elektrike të ndërpritej papritur dhe të mos kthehej për orë, ditë apo javë të tëra. Vështirësitë fillestare, si mungesa e televizorit apo frigoriferit, do të shndërroheshin shpejt në një katastrofë globale: spitalet paralizohen, Interneti nuk funksionon, Gps-të janë të padobishëm, trenat dhe avionët ndalojnë së lëvizuri. Ndërkohë, në qiell do të shfaqeshin aurora spektakolare, por çmimi do të ishte i lartë. Ky skenar nuk është fantashkencë, por një mundësi reale në rast të një stuhie diellore ekstreme.

Ngjarja e Carrington-it

Për të kuptuar këtë fenomen, duhet të kthehemi pas në kohë. Dielli ynë, megjithëse duket i qëndrueshëm, është vendi i aktiviteteve të dhunshme që shpesh nuk i vërejmë. Në shtator 1859 ndodhi një ngjarje e tillë, e njohur si Ngjarja e Carrington-it, kur një stuhi diellore e fuqishme goditi Tokën. Në atë kohë, teknologjia ishte e kufizuar tek telegrafi, dhe efektet përfshinin ndërprerje të linjave dhe shkëndija nga shtyllat e telegrafit. Ndërkohë, urora boreale u panë deri në Kubë, Hawaii dhe Xhamajka.

Fenomenet e dhunshme diellore në të kaluarën

Stuhia diellore e vitit 1859 ishte rreth 10 herë më e fuqishme se një ngjarje e ngjashme që ndodhi në maj 2024. Në shekullin e 20-të dhe të 21-të ka pasur raste të tjera të fuqishme, si stuhia gjeomagnetike e marsit 1989, që shkaktoi një ndërprerje 10-orëshe të energjisë elektrike në Quebec dhe problemet e sistemit elektrik në SHBA. Një tjetër stuhi, në maj 1921, shkaktoi zjarre dhe dëme në linjat telegrafike.

Studimet mbi izotopet radioaktive në shtresat e akullit tregojnë se në 1,000 vitet e fundit ka pasur stuhi edhe më të forta se ajo e Carrington-it. Megjithatë, këto fenomene janë të paparashikueshme dhe mund të ndodhin në çdo moment.

Skenari i “stuhisë perfekte”

Një stuhi ekstreme fillon me shfaqjen e njollave të mëdha në sipërfaqen e Diellit, të cilat çlirojnë energji magnetike dhe përfundimisht plazma të nxehura. Kur ky material arrin Tokën, ai ndërvepron me fushën magnetike të planetit, duke shkaktuar stuhi gjeomagnetike.

Efektet përfshijnë:

Dëmtim të satelitëve: Rrezatimi i lartë energjik ngroh dhe zgjeron atmosferën, duke shkaktuar më shumë fërkim mbi satelitët.

Probleme për astronautët dhe avionët: Rrezatimi paraqet rrezik për ata që ndodhen në orbitë ose në udhëtime mbi polet.

Prishje të rrjeteve elektrike: Rrymat induktive të gjeneruara nga stuhitë geomagnetike mund të dëmtojnë transformatorët dhe linjat elektrike.

Pasojat e një ndërprerjeje globale të energjisë

Nëse një stuhi e tillë ndodh sot, efektet do të ishin katastrofike. Transformatorët e dëmtuar nuk mund të zëvendësohen shpejt, pasi prodhimi i tyre kërkon muaj të tërë. Pa energji elektrike, ndalen jo vetëm pajisjet shtëpiake, por edhe transaksionet bankare, sistemet telefonike dhe transporti publik. Supermarketet boshatisen shpejt dhe mungesa e ujit të pijshëm bëhet një problem i madh.

A jemi të përgatitur?

Për momentin, burimet për monitorimin e “moti hapësinor” janë të kufizuara. Satelitët aktualë si Soho dhe Solar Dynamics Observatory janë të vjetër dhe nuk mund të japin të dhëna në kohë reale. Misioni Vigil i ESA-s, planifikuar për vitin 2031, mund të përmirësojë situatën, por aktualisht parashikimet janë të kufizuara në një sistem të quajtur “nowcasting”—thjesht vëzhgimi i çfarë po ndodh në moment.

Si të kufizojmë dëmet?

Strategjitë për të përballuar këto fenomene përfshijnë monitorimin e vazhdueshëm dhe ndarjen e rrjetit elektrik në segmente për të parandaluar përhapjen e dëmeve. Megjithatë, ndërgjegjësimi dhe përgatitja për një skenar të tillë mbeten të ulëta në shumicën e vendeve. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat