Një hienë me pika është shfaqur në Egjipt, për herë të parë në 5000 vjet

Shkencë & Teknologji

Një hienë me pika është shfaqur në Egjipt, për herë të parë në 5000 vjet

Më: 25 janar 2025 Në ora: 08:11
Hiena

Për herë të parë në 5000 vjet, në juglindje të Egjiptit është vërejtur prania e hienës së njollosur, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Mammalia.

Zbulimi është i jashtëzakonshëm, pasi ndodhi rreth 500 kilometra në veri të habitatit të njohur të hienës në Sudanin fqinj.

Një hiene e vetmuar u ndoq dhe u vra në fund të shkurtit 2024, afërsisht 30 kilometra larg kufirit me Sudanin, pasi kishte kapur dy dhi që i përkisnin barinjve vendas në Wadi Yahmib, një zonë e mbrojtur e Elbës.

“Reagimi im i parë ishte mosbesimi, derisa kontrollova fotot dhe videot e mbetjeve”, thotë autori kryesor i studimit, Dr. Abdullah Nagy nga Universiteti Al-Azhar në Egjipt. “Isha tërësisht i befasuar. Nuk ishte diçka që e prisnim në Egjipt”, shtoi ai.

Hienat e njollosura janë gjuetarë të aftë në grupe dhe zakonisht gjenden në habitate të ndryshme në të gjithë Afrikën nën-Sahariane. Ato mund të përshkojnë deri në 27 kilometra në ditë, shpesh duke ndjekur migrimin e bagëtive dhe duke kërkuar ushqim edhe në deponi mbeturinash. Për mijëra vite, nuk janë parë në Egjipt.

Studiuesit sugjerojnë se ndryshimet klimatike mund të kenë hapur rrugë të reja migrimi. Ata besojnë se rritja e reshjeve dhe shtimi i vegjetacionit në rajon kanë krijuar kushte që e lehtësuan migrimin e hienës.

Për të testuar teorinë e tyre, ekipi përdori imazhe satelitore nga viti 1984 deri në 2022 për të analizuar ndryshimet në nivelet e vegjetacionit. Zbulimet treguan periudha të alternuara thatësire dhe lagështie relative, me një rritje të ndjeshme të bimësisë gjatë pesë viteve të fundit, krahasuar me dy dekadat e mëparshme. Kjo mund të ketë mbështetur më shumë lloje të preve dhe e ka bërë rajonin më të përshtatshëm për hienat.

“Por pse pikërisht kjo hiene ndërmori një udhëtim kaq të gjatë deri në Egjipt mbetet një mister. Janë të nevojshme kërkime të mëtejshme për të kuptuar motivimin e saj”, thotë Nagy.

Ky zbulim sfidon idetë ekzistuese mbi përhapjen e hienës së njollosur dhe thekson ndikimin e ndryshimeve klimatike rajonale në lëvizjen e kafshëve të egra, përfundojnë autorët. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat