Kina mendon të dërgojë një robot fluturues në skaj të hënës gjatë vitit të ardhshëm për të kërkuar për ujin e ngrirë që mund të jetë çelësi për ekspeditat hënore, një pjesë e programit ambicioz për hapësirën.
“Detektori fluturues” do të dërgohet në polin jugor të hënës në misionin Chang’e-7 që synon ta dërgojë vendin një hap para me zbarkimin e astronautëve në hënë brenda pesë viteve të ardhshme.
Kina ka bërë përpjekje gjigante për t’u vendosur si një nga ‘lojtarët’ kryesorë për hapësirën që shtetet, përfshirë edhe SHBA-në po kërkojnë ta arrijnë jo vetëm për përfitime shkencore, por edhe për burimet e sigurinë kombëtare.
Gjetja e ujit në hënë nuk është diçka e re. Vitin e kaluar, shkencëtarët kinezë gjetën ujë në mostrat e sondës Chang’e-5, ndërsa mjetet hapësinore indiane dhe të NASA-s kanë pikasur në sipërfaqen e hënës diçka që mendohet të jetë ujë.
Disa shkencëtarët besojnë se vetëm uji, i cili mendohet se ruhet thellë në krateret e skajit të hënës, mund të ndihmojë në ekspeditat e ardhshme duke shërbyer si burim uji për astronautët.
Kërkimi për akullin hënor është pjesë e përgatitjeve të Kinës për ndërtimin e një baze kërkimore në polin jugor, thanë ekspertët për televizionin kombëtar CCTV.
“Ka disa shpella shumë të thella në polin jugor të hënës dhe ne mendojmë se atje mund të ketë ujë. Shpresojmë që detektori fluturues të mund të kryejë disa vëzhgime në terren në një ose dy shpella pas uljes”, tha Wu Weiren.
Zbulimi i depozitave akullnajore mund të ndihmojë për të populluar hënën dhe të ulë koston e misioneve hënore, duke lënë të hapur mundësinë për një jetë përtej planetit tonë.
Ekspertë të tjerë kanë thënë më herët për CNN se pavarësisht zbulimeve, ne ende s’mund ta dimë nëse mund të mbjellim në hënë apo të përftojmë ujë të pijshëm sepse kjo varet nga sasia e ujit dhe trajta kimike.