Si nxënës i shkollës së mesme në në zonë të Merilendit afër Uashingtonit, Daneel Kutsenko nuk i kushtonte shumë vëmendje Kinës.
Megjithatë, muajin e kaluar, ndërsa qeveria amerikane po përgatitej të ndalonte TikTok-un, pronë e një kompanie kineze, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin në sigurinë kombëtare, Daneel Kutsenko shkarkoi aplikacionin RedNote, një tjetër platformë kineze për publikimin e videove, që ai mendon se i dha atij një perspektivë të re për Kinën.
"Duket thjesht si një aplikacion i njerëzve që jetojnë jetën e tyre dhe argëtohen", i tha ai Zërit të Amerikës lidhur me aplikacionin RedNote, që tërhoqi qindra mijëra përdorues amerikanë pas njoftimeve se TikToku mund të mbyllej.
Ajo çka bëri Daneel Kutsenko është pjesë e një prirjeje më të madhe. Edhe pse vendimmarrësit amerikanë intensifikuan paralajmërimet e tyre për aplikacionet në pronësi kineze, ato janë bërë një pjesë rëndësishme e amerikanëve.
TikTok, në pronësi të kompanisë ByteDance nga Kina, krenohet me 170 milionë përdoruesit e tij amerikanë. Aplikacioni kinez i inteligjencës artificiale “DeepSeek” u ngjit në krye të renditjes së aplikacionet të shkarkuara në sistemet e kompanisë Apple në botë, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, për disa ditë pas daljes së saj në treg muajin e kaluar.
Një tjetër ndryshim i madh ka ardhur në blerjet në internet, ku amerikanët po dynden në platformat komerciale digjitale kineze si Temu dhe Shein në kërkim të çmimeve të ulëta për rroba, mallra shtëpiake dhe sende të tjera.
Sipas një sondazhi të vitit 2024 nga Omnisend, një kompani e marketingut në tregtinë elektronike, 70% e amerikanëve blenë në platformat kineze gjatë vitit të kaluar, me 20% që e bëjnë këtë të paktën një herë në javë.
Kërcënim i shumëanshëm
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se aplikacionet kineze paraqesin një gamë të gjerë kërcënimesh, qoftë për sigurinë kombëtare, privatësinë, të drejtat e njeriut apo ekonominë.
TikTok ka qenë objektivi më i madh. Anëtarët e Kongresit që u përpoqën të ndalonin aplikacionin përmendën shqetësimet se qeveria e Kinës mund të përdorte TikTok-un si një mjet për mbledhjen e informacioneve të zbulimit apo të manipulonte algoritmet e tij për të nxitur histori të favorshme për Pekinin.
Ndërkohë, aplikacionet komerciale kineze përballen me kritika për çmimet të tyre të ulëta, të cilat ngrenë shqetësime për burimet etike dhe lidhjet e mundshme me punën e detyruar, tha për Zërin e Amerikës Sari Arho Havrén, studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve në Londër.
"Kjo ngre pyetje se sa të qëndrueshme janë këto produkte dhe si prodhohen ato", tha eksperti Havrén, i cili merret me studimin e çështjeve që lidhen me Kinën dhe konkurrencën e fuqive të mëdha. Për më tepër, tha ai, "çmimet e ulëta dëmtojnë prodhuesit dhe bizneset vendase".
Shumë vendimmarrës amerikanë paralajmërojnë gjithashtu se aplikacionet kineze paraqesin rreziqe më të mëdha për privatësinë, pasi ligjet kineze detyrojnë kompanitë të ndajnë të dhënate tyre me qeverinë.
Kuriozitet dhe sfidë
Megjithatë, një numër në rritje amerikanësh nuk janë të shqetësuar nga këto paralajmërime. Shumë të rinj në veçanti duket se nuk janë të shqetësuar nga paralajmërimet mbi shkeljen e mundshme të privatësisë, duke argumentuar se të dhënat e tyre personale tashmë janë ekspozuar gjerësisht.
“Ata mund të marrin të gjitha të dhënat që duan. Megjithatë, unë jam 16 vjeç, çfarë do të gjejnë tek unë, përveç faktit që unë shkoj në shkollë ", thotë nxënësi Daneel Kutsenko.
Ivy Yang, një eksperte për ndërveprimin dixhital SHBA-Kinë, i tha Zërit të Amerikës se shumë të rinj amerikanë gjithashtu e mendojnë se nuk ka shumë të ngjarë që ata të përfundojnë në një hetim të gjerë të agjencive kineze të sigurisë kombëtare.
“Ata nuk mendojnë se videot e vallëzimit apo fotografitë e maceve që ata shikojnë në RedNote do të përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare", thotë ekspertja Yang, e cila themeloi kompaninë konsulente me bazë në Nju Jork, “Wavelet Strategy”.
Ekspertja Yang thotë se reagimi ndaj ndalimit të TikTok-ut dhe rritja e shkarkimeve të aplikacionit RedNote mund të pasqyrojnë një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë amerikanë e shohin Kinën, jo vetëm si një rivale gjeopolitike, por si një burim aplikacionesh që ata përdorin në jetën e përditshme. Ajo gjithashtu thotë se kjo është pasojë e një skepticizmi më të gjerë kulturor, të nxitur nga një përzierje kurioziteti, sfide dhe një mosbesimi në rritje ndaj institucioneve, përfshirë mediat konvencionale.
Jeremy Goldkorn, një analist i prirjeve dixhitale SHBA-Kinë dhe redaktor i revistës “ChinaFile”, tha se zhgënjimi në rritje i shkaktuar nga pakënaqësia me debatet politike dhe pasigurinë ekonomike të Amerikës i ka intensifikuar këto ndryshime.
“E bën shumë më të vështirë, veçanërisht për të rinjtë, që të merren me atë që po bën Kina kur ndihen kaq të tmerruar për gjendjen në vendin e tyre”, thotë eksperti Goldkorn.
Sondazhet pasqyrojnë këtë ndarje. Një sondazh i organizatës Pew i vitit 2024 zbuloi se 81% e amerikanëve e shohin Kinën në mënyrë të pafavorshme, por anketuesit më të rinj janë më pak kritikë. Vetëm 27% e atyre nën 30 vjeç kanë pikëpamje shumë negative për Kinën, krahasuar me 61% të atyre 65 vjeç e lart.
Kufizimet dixhitale
Ndërsa aplikacionet kineze po zgjerohen në Shtetet e Bashkuara, vazhdon të ketë një ndryshim të madh mes qasjes së Kinës ndaj platformave dixhitale të huaja dhe asaj të Uashingtonit.
Kina bllokon pothuajse të gjitha platformat kryesore perëndimore dhe kontrollon fort aplikacionet e veta, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kufizimeve të reja kryesisht për teknologjinë kineze.
Megjithëse Presidenti Donald Trump pezulloi përkohësisht hyrjen në fuqi të vendimit për ndalimin e TikTok-ut dhe administrata e tij ka sinjalizuar përpjekje më të gjera për të frenuar ndikimin teknologjik të Kinës.
Zyrtarët e admnistratës së Presidentit Trump kanë lënë të kuptohet se mund të ndërmarrin hapa për të vendosur kufizime për aplikacionet kineze të inteligjencës artificiale si “DeepSeek”.
Administrata e Presidentit Trump gjithashtu sinjalizoi kohët e fundit se synon të mbyllë një boshllëk tregtar që lejon shitësit kinezë të anashkalojnë detyrimet e importit dhe kontrollet doganore.
Sfida më të gjera
Ndërsa Uashingtoni debaton se si të trajtojë rritjen e aplikacioneve kineze, disa analistë thonë se debati rrezikon të errësojë çështjen më të thellë të rolit më të gjerë të vetë mediave sociale.
Rogier Creemers, një specialist i qeverisjes dixhitale në Universitetin Leiden, i tha Zërit të Amerikës se ndërsa aplikacionet kineze mund të ngrenë shqetësime të vlefshme për vendet perëndimore, ato janë vetëm një pjesë e një problemi më të madh dhe të pazgjidhur.
“Ka një sërë sëmundjesh sociale që lidhen me këto media sociale, që unë mendoj se janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë që Partia Komuniste Kineze mund të bëjë”, tha ai, duke përmendur problemet si varësia dixhitale, shkurtimi i vëmendjes dhe mënyra se si media sociale amplifikon keqinformimin dhe joseriozitetin politik.
“Për mua, kjo vlenë për aplikacionet në pronësi kineze, amerikane apo ato në pronësi të Taxhikistanit”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara, tha eksperti Creemer, po ndjekin një qasje më të thjeshtë për rregullimin e platformave në internet, pjesërisht për shkak të mbrojtjes së fortë të fjalës së lirë dhe kundërshtimeve nga industria e teknologjisë.
Aplikacione apo ndikim?
Për miliona amerikanë, debatet më të mëdha rreth Kinës dhe ndikimit të saj dixhital nuk janë shumë shqetësuese kur ata hapin TikTok-un.
Nxënësi Daneel Kutsenko thotë se as ai dhe as miqtë e tij nuk kanë mendime të forta për tensionet SHBA-Kinë. Ata thjesht donin një alternativë ndaj TikTok-ut, që është argëtues, popullor dhe mund të përdoret me lehtësi.
Kjo është një shenjë se ndërsa vendimmarrësit i shohin aplikacionet kineze si pjesë të një rivaliteti teknologjik në rritje, për shumë amerikanë ato janë vetëm një mënyrë tjetër për të blerë dhe për t’u argëtuar./VOA