OpenAI refuzon ofertën miliarda dollarëshe të Musk: Nuk jemi në shitje

Shkencë & Teknologji

OpenAI refuzon ofertën miliarda dollarëshe të Musk: Nuk jemi në shitje

Më: 15 shkurt 2025 Në ora: 18:24
Foto ilustrim

OpenAI ka hedhur poshtë një ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh nga një konsorcium i udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, duke thënë se startupi nuk është në shitje.

Kjo është përpjekja e fundit e Musk për të bllokuar startupin që ai bashkëthemeloi me CEO Sam Altman – por më vonë u largua.

“OpenAI nuk është në shitje dhe bordi ka refuzuar njëzëri përpjekjen e fundit të Musk. Çdo riorganizim i mundshëm i OpenAI do të forcojë organizatën tonë jofitimprurëse dhe misionin e saj”, tha OpenAI.

Të martën, Altman i tha uebsajtit të lajmeve Axios se OpenAI nuk ishte në shitje.

Ai e kishte refuzuar ofertën me një “jo faleminderit” në X, duke bërë që Musk t’ia kthente: “Mashtrues”.

Ndërsa konsorciumi i udhëhequr nga Musk, duke përfshirë startupin e tij xAI, do të tërhiqte ofertën për degën jofitimprurëse të OpenAI nëse ajo heq dorë nga planet për t’u bërë një entitet fitimprurës, shkruan the Guardian.

Raportohet se investitorë të tjerë në konsorcium përfshijnë Valor Equity Partners, Baron Capital dhe Ari Emanuel.

Ndryshe, Altman dhe Musk kanë qenë në mosmarrëveshje prej vitesh.

Pas largimit të Musk në vitin 2019, OpenAI krijoi një krah fitimprurës që ka tërhequr miliarda dollarë fonde, duke ndezur akuza nga Musk se startupi shkeli misionin e tij origjinal duke e vënë fitimin përpara të mirës më të madhe publike.

Musk paditi Altman, OpenAI dhe mbështetësin e tij më të madh Microsoft në gusht të vitit të kaluar për shkeljen e supozuar të kontratës.

Në nëntor, Musk i kërkoi një gjykatësi të qarkut amerikan një urdhër paraprak për të bllokuar OpenAI nga kalimi në një strukturë fitimprurëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat