Shkencëtarët: Asteroidi 2024 YR4 nuk përbën më kërcënim për Tokën

Shkencë & Teknologji

Shkencëtarët: Asteroidi 2024 YR4 nuk përbën më kërcënim për Tokën

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 22:59
Foto ilustrim

Shkencëtarët thonë se Toka nuk rrezikohet më nga një asteroid i zbuluar kohët e fundit. Pas dy muajsh vëzhgimesh, shkencëtarët kanë përjashtuar pothuajse çdo mundësi rreziku për planetin tonë nga asteroidi 2024 YR4, thanë të martën NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Gjatë javëve të kaluara, përllogaritjet paraprake të shkencëtarëve tregonin për një shkallë prej 3% të shanseve që asteroidi të përplasej me planetin tonë në vitin 2032, duke kryesuar listën e rreziqeve nga asteroidet. Agjencia Evropiane e Hapësirës i ka ulur shanset në 0,001% ndërsa NASA thotë se rreziku i përplasjes është afro 0,0017%. Përllogaritjet tregojnë se asteroidi do të kalojë pranë Tokës në vitin 2032 dhe nuk ka asnjë kërcënim për përplasje gjatë shekullit të ardhshëm.

Paul Chodas, i cili drejton Qendrën e NASA-s për Studimet e Objekteve Afër Tokës, tha se nuk ka asnjë mundësi që probabiliteti të rritet dhe se është përjashtuar mundësia e një përplasje në vitin 2032.

“Ky është rezultati që e prisnim gjatë gjithë kohës, megjithëse nuk mund të ishim 100% të sigurt se do të ndodhte”, tha ai përmes një emali.

Por ende ekziston një shans prej 1.7% që asteroidi të mund të godasë hënën më 22 dhjetor 2032, sipas NASA-s. Zoti Chodas pret që shanset të zbehen edhe në këtë rast.

Teleskopët në mbarë botën do të vazhdojnë të gjurmojnë asteroidin ndërsa largohet nga sistemi ynë. Teleskopi Hapësinor Webb do të përpiqet muajin e ardhshëm që të përcaktojë me saktësi madhësinë e asteroidit i cili pritet të zhduket së shpejti nga objektivi i teleskopëve.

I zbuluar në muajin dhjetor, asteroidi besohet të ketë një madhësi 40 metra me 90 metra që qarkullon në sistemin tonë çdo katër vjet.

“Ndërsa asteroidi 2024 YR4 nuk përbën më një rrezik të konsiderueshëm të përplasjes me Tokën, ai ofroi një mundësi të paçmuar” për hulumtime, tha NASA në një deklaratë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat