Kompania SpaceX ka humbur një raketë të dytë vetëm tetë minuta pas ngritjes së saj mbrëmë, duke dështuar për herë të dytë në lëshimin testues.
Sistemi Starship i gjatë 400 metra shpërtheu nga pika e tij e nisjes në Starbase të kompanisë SpaceX pranë qytetit Brownsville në Teksas, por kontrolli humbi kontaktin me anijen kozmike pak pas tetë minutash në fluturim.
"Mendoj se është shumë e qartë se ne nuk do të vazhdojmë pjesën tjetër të misionit sot", tha Dan Huot, menaxheri i komunikimit i SpaceX, në transmetimin e drejtpërdrejtë të kompanisë në internet, shkruan Anadolu.
Fatkeqësia e fundit e djeshme pason lëshimin e SpaceX më 16 janar, ku mega-raketa Starship gjithashtu shpërtheu afër tetë minuta pas nisjes.
Këtë herë, disa motorë u duk se ishin ndërprerë pasi mjeti Starship i fazës së sipërme ishte ende duke vazhduar në hapësirë. Videoja e drejtpërdrejtë e shpërthimit tregoi se anija kozmike rrotullohej para se të humbiste i gjithë komunikimi.
"Gjatë djegies së Starship-it në ngjitje, mjeti përjetoi një çmontim të shpejtë të paplanifikuar dhe kontakti u humb. Ekipi ynë filloi menjëherë koordinimin me zyrtarët e sigurisë për të zbatuar përgjigjet e para-planifikuara të emergjencës", njoftoi SpaceX, përcjellë KosovaPress.
Nga atje theksuan se do të shqyrtohen të dhënat nga testimi i fluturimit për të kuptuar më mirë shkakun rrënjësor.
"Si gjithmonë, suksesi vjen nga ajo që mësojmë dhe fluturimi i sotëm do të ofrojë mësime shtesë për të përmirësuar besueshmërinë e Starship-it", tha kompania.
SpaceX Starship është një mjet kritik për planet e NASA-s për të kthyer astronautët në Hënë deri në vitin 2027 ose 2028.
Natyrisht, theksoi Huot, "shumë për të kaluar, shumë për të gërmuar".
"Arsyeja kryesore që ne i bëjmë këto fluturime është për të mësuar. Ne kemi më shumë për të mësuar rreth këtij mjeti, por ne do të kthehemi këtu në një të ardhme jo shumë të largët dhe do ta çojmë një anije në hapësirë", tha ai.
Nisja e dështuar e djeshme ishte misioni i tetë testues i kompanisë SpaceX. Administrata Federale e Aviacionit ka nisur një hetim për atë që shkoi keq.