Reshjet intensive të rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që i gjithë qarku i Shkodrës të vendoset nën pushtetin e ujit.
Mbi 10 familje në lagjet periferike të qytetit veriperëndimor janë evakuuar pasi banesat e tyre u përmbytën si rrjedhojë e rritjes së nivelit të ujit të liqenit.
Po ashtu, sipas shtabit të emergjencave, nga uji rrezikojnë përmbytjen dhe rreth 200 shtëpi të tjera, ben te ditur Vizion Plus.
Situatë e vështirë paraqitet dhe në njësinë administrative të Dajçit pasi lumi Buna ka dalë nga shtrati. Si pasojë lëvizja e mjeteve në këtë zonë bëhet me vështirësi, ndërsa është bllokuar rruga që lidh fshatrat Shirgj- Darrgjat.
Dajçi është shumë keq. Situata pritet shumë e rëndë. Makinat e vogla mendoj se është e pamundur që të kalojnë. Shirqi ka shtëpi të përmbytura. Niveli sot është më shumë se ditët e tjera.
Banorët e zonës thonë se ndihen të rrezikuar pasi niveli i ujit po rritet me shpejtësi.
GENTIAN OBLIKA – BANOR I DAJÇIT
Mbi një muaj që jemi nën ujë. Gjendja është shumë e keqe. Fëmijët i çojmë në krah i sjellim në krah. Shteti s’bëhet fjalë me ardh në këtë vend.
Probleme të shumta ka dhe në njësinë administrative Ana e Malit, kryesisht në fshatrat Obot dhe Oblikë.
Sipas Shtabit të Emergjencave, në të gjithë qarkun Shkodër, sipërfaqja e përmbytur ka shkuar në rreth 5000 hektarë tokë bujqësore.
Nga reshjet e dendura, përmbytje pati edhe në zonën e Torovicës në qarkun Lezhë si dhe në Kurbin.