Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në segmente kyçe që janë evidentuar si njolla të zeza për shkak të aksidenteve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.
Qarku i Shkodrës është një prej tyre dhe ditën e djeshme, policia ka konstatuar dhjetra raste kur shoferët parakalojnë në mënyrë të gabuar, nuk respektojnë shpejtësinë e lejuar apo nuk vendosin rripin e sigurimit.
Kontrollet gjatë ditës së djeshme janë përqendruar në qarkun Shkodër, ku nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore janë vendosur 93 masa për parakalime të gabuara, 28 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, 61 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 49 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe 11 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse”, tha Policia.
Kontrollet në lëvizje po kryhen nga punonjësit e Policisë të Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë dhe mjete të tjera, si dhe nga punonjës që monitorojnë me kamera rruge,
“Patrullimi dhe monitorimi parandalues konsiston kryesisht në parakalimet e gabuara, shpejtësinë mbi normat e lejuara, për përdorimin e celularit nga drejtuesit e automjeteve gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosjen e rripit të sigurimit nga drejtuesit e mjeteve dhe të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, si dhe për drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi”, shpjegon Policia.
“Plani operacional do të vijojë përgjatë gjithë muajit mars, në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugët me risk për ngjarje”.
Policia Rrugore i apelon të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes dhe durim maksimal në zonat me trafik të renduar, “pasi në të kundërt do të jenë subjekt i sanksioneve ligjore të parashikuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”.