Duke përkujtuar vuajtjet e Jezus Krishtit në Malin e Kalvarit, besimtarët e krishterë të Shkodrës organizuan Udhën e Kryqit në malin e Taraboshit. Çdo ndalesë që përkujton mundimet e Jezusit për besimtarët e krishterë ka shërbyer si një pikë lutjeje.
40 ditët e krezhmeve që i paraprijnë Pashkëve, shërbejnë si periudhë pendese e lutjeje për të krishterët.
Ngjitja në mal kujton mundimet e Jezusit, por edhe sfidat që sot ka jeta jonë.
Famulltari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj, u ndal tek gjendja që krijoi në botë pandemia, apo plagë të tjera që ka shoqëria njerezore si aborti, vrasjet, e deri tek sfidat e përditshme të jetës njerëzore.
“Njerëzimi ka nevojë për ata njerëz që dinë me bashkënda vuajtjen dhe dhimbjen. Në disa situata jeta njerëzore vërtet është e papërballueshme individualisht”.
Janë 14 ndalesa që pasqyrojnë udhën dhe mundimet e përshkuara nga vetë Jezusi deri në ndalesën e fundit të kryqëzimit të tij në Kryq në Kalvar, përmes mbajtjes së kryqit, leximeve, meditimeve dhe lutjeve të të rinjve në grupeve .
Këtë vit ky organizim nuk u udhëhoq nga arqipeshkëvi i Shkoder – Pult, imzot Angelo Massafra i cili ndodhet i shtruar në spital në Itali, pasi u prek nga Covid 19.