Policia e Shkodrës ka goditur një veprimtari kriminale të falsifikimit të dokumenteve.
Në pranga ranë 3 shtetas, ndërsa u procedua në gjendje të lirë 1 tjetër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumente identifikimi dhe dokumente të tjera, të dyshuara të falsifikuara.
U ndaluan shtetasit:
- Skender Priska, 68 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Falsifikimi i dokumenteve shkollore";
- Brahim Brahimaj, 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave" dhe "Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, të kryera në bashkëpunim;
- Pjerin Brahimaj, 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave", kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, shtetasi B. Sh., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë teknik-radiolog pranë një spitali privat në Tiranë.
Policia thotë se gjatë muajit mars, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente identifikimi, dokumente mjekësore dhe shkollore, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 dokumente identifikimi (pasaporta), të dyshuara të falsifikuara, vizë angleze e dyshuar false, 1 laptop dhe një sasi e konsiderueshme parash.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme.