I drejtuan armën, kërcënohet djali i ish-kandidatit për Kryebashkiak të Shkodrës/ Detajet

Shkodra

I drejtuan armën, kërcënohet djali i ish-kandidatit për Kryebashkiak të Shkodrës/ Detajet

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Dy persona, që lëviznin me motor, dyshohet se i kanë drejtuar një armë zjarri Arlind Bushatit, djalit të Xhemal Bushatit, i cili në 2023 kandidoi për kryebashkiak të Shkodrës nën siglën e PD-së.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të enjtes, ndërsa 32-vjeçari Arlind Bushati ka kryer një kallëzim mëngjesin e sotëm në Policinë e Shkodrës, raportoi për Balkanweb gazetari i News24, Igli Çelmeta.

Duke zbuluar detaje lidhur me ngjarjen, Çelmeta tha se Bushati ka qenë në një lokal në zonën e pedonales në Shkodër, kur dyshohet se dy persona që lëviznin me motor i kanë drejtuar armën.

Dyshohet se arma ka qenë automatike, por nuk ka pasur të shtëna. Dy personat ishin me skafandër, ndërsa nuk dihet nëse janë identifikuar ose jo.

“Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.

Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit”, thuhet në një njoftim zyrtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat