Mesditën e sotme në Shkodër, Partia Demokratike ka organizuar një protestë për atentatin e 30 tetorit ku humbën jetë 3 persona dhe një është ende në gjendje të rëndë në spital. Protesta është planifikuar të nisë në orën 12:00, ndërsa PD ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Policinë e Shtetit se janë përgjegjës të masakrës që sipas tyre ishte e paraljmëruar.
“Nesër mbarë qytetarët e Shkodrës, qytetarë nga mbarë Shqipëria, demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë, marshojnë në Shkodër në një akt solidariteti, guximi dhe shpirti të pamposhtur të Shkodërloces, qytetit Rozafë, që ka qëndruar dhe qëndron i pamposhtur ndaj çdo pushtimi, ndaj çdo rrebeshi. Masakra e Shkodrës, ishte një masakër e paralajmëruar, ishte një masakër e licensuar nga Edi Rama, narkopolicia dhe narkodrejtësia e këtij sistemi. U bëj thirrje, që nesër të gjithë të rinjve, të gjithë të rejave të këtij vendi, marshoni në Shkodër sepse marshoni për dinjitetin tuaj, marshoni për sigurinë tuaj, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj. Ftoj çdo qytetar nesër të marshojë në Shkodër, sepse Flutura Basha mund të ishte secili prej nesh, secili nga të dashurit tanë, secili nga fëmijët tanë”, u shpreh Berisha mbrëmjen e djeshme.
Atentati i 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës:
Gjithçka ndodhi pasditen e së mërkurës në Dobraç të Shkodrës, ku në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, të paktën një automjet i ka prerë rrugën një “Mercedes”-i duke qëllua me breshëri kallashnikovi mbi të. Viktimat janë Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes, Arlind Bushati i cili nërroi jetë në spital dhe Flutura Basha e cila ishte një kalimtare e rastit në atë rrugë, teksa ndodhej me bashkëshortin e saj në një motor. Ndërkohë, ky i fundit, identifikuar si Bashkim Basha është plagosuri rëndë. Në makinën e viktimava shofer ka qenë Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha.