Nën masa të rrepta sigurie, Sakica dhe Troshani paraqiten në Gjykatën e Shkodrës

Shkodra

Nën masa të rrepta sigurie, Sakica dhe Troshani paraqiten në Gjykatën e Shkodrës

Më: 25 janar 2025 Në ora: 09:45
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas vetëdorëzimit që bënë të mërkurën në Policinë e Shkodrës, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani u sollën këtë të shtunë në Gjykatën e Shkodrës për masën e sigurisë në lidhje me akuzat “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B.

Kujtojmë që pas disa muajsh në kërkim, Sakica dhe Troshani vendosën të vetëdorëzohen pranë autoriteteve të policisë në Shkodër, të shoqëruar dhe nga avokati i tyre.

Gjykata e Shkodrës do të bëjë sot rivlersimin e masës së arrestit me burg në mungesë për ngjarjen e 3 qershorit 2024 ndërsa policia ka dyshime se ata kanë rol dhe në atentatin ndodhi në zonën e Dobracit, në rrugën Shkodër-Koplik, më datë 30 tetor, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj një automjeti me targa kroate.

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, u ekzekutua në vend, ndërsa Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryebashkiak, Xhemal Bushatit, ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës.

Kalimtarja Flutura Basha, e cila po lëvizte me motor bashkë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, gjithashtu u vra në sulm. Bashkëshorti ndërroi jetë 3 ditë më pas në spital.

Autorët e atentatit dyshohet se janë afruar paralelisht me makinën ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, duke hapur zjarr me breshëri plumbash për rreth 150 metra në lëvizje.

Dyshohet për tre atentatorë, dy në rolin e ekzekutorit dhe një në drejtimin e mjetit.

Sipas policisë ka dyshime se në këtë atentat kanë marrë pjesë edhe Sakica dhe Troshani por ende nuk dihet roli ekzakt i tyre në ngjarje dhe nëse ka prova bindëse ose jo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat