Spektakli i veçantë i karnavaleve në Shkodër ka kulmuar sot me djegien e figurës së dordolecit, që shenjon edhe mbylljen e paradës disaditore të kostumeve, maskave dhe spektaklit shumëngjyrësh që ka nisur prej datës 17 shkurt në këtë qytet.
Për herë të parë, parada e karrove dhe dritave krijoi një atmosferë magjike për shkodranët dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria duke sjellë një atmosferë festive dhe plot argëtim.
Ditën e sotme, festa e Karnavaleve ka nisur që herët në mëngjes në rrugët e Shkodrës, ndërsa të pranishëm kanë qenë jo vetëm qytetarë të këtij qyteti, por edhe pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqipfolëse. Pas parakalimit të paradës së personazheve artistikë, muzika, festa dhe spektakli u përmbyllën me djegien e dordolecit të pozicionuar në qendër të qytetit të Shkodrës, raporton ATSH.
Kryebashkiaku Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga festa e Karnavaleve, duke shkruar: “Shkodra në festën e karnavaleve magjike”.
Atmosfera festive e karnavaleve ka nisur më 17 shkurt me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit.
Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike i shoqëruan banorët e Shkodrës por edhe turistët e ardhur nga qytetet e tjera apo edhe nga jashtë, përgjatë shtatë ditëve (17-23 shkurt), duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash.