Blinken sot pasdite pritet të arrijë në Shkup

Shkupi

Blinken sot pasdite pritet të arrijë në Shkup

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 13:03
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, sot pasdite pritet të arrijë në Shkup, ku do të marrë pjesë në Këshillin e 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, i cili mbahet nga sot deri më 1 dhjetor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Blinken do ta fillojë pjesëmarrjen në samitin e OSBE-së me një takim me shefin e diplomacisë dhe kryetar të OSBE-së, Bujar Osmani. Ai në Shkup duhet të arrijë nga Brukseli, ku po merr pjesë në takimin ministror të NATO-s, ndërsa pas takimit me Osmanin, Sekretari Amerikan i Shtetit është paraparë të marrë pjesë në një darkë joformale që i paraprin Këshillit Ministror, ​​i cili zyrtarisht fillon nesër. Pas Shkupit, Blinken niset për në Izrael.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit për vizitën e Blinken në Shkup thuhet se ai do të konfirmojë përkushtimin e vendosur të Shteteve të Bashkuara ndaj OSBE-së dhe misionit të saj bazë për promovimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve, me theks të veçantë në të drejtat e njeriut dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore. Sekretari Blinken do të theksojë gjithashtu rolin kyç të OSBE-së në promovimin e sigurisë gjithëpërfshirëse në rajon dhe do ta falënderojë Maqedoninë për rolin e saj udhëheqës.

Takimi ministror në Shkup shënon praninë e diplomatëve të parë të Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse, Antony Blinken dhe Sergei Lavrov, gjë që e bën atë një nga ngjarjet e rralla ku të dy do të jenë në të njëjtin vend për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt 2022. Për momentin nuk ka asnjë njoftim për një takim mes Blinken dhe Lavrov.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat