Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, invalidë të luftës dhe familjarë të Dëshmorëve protestuan sot në Shkup kundër arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani.
Ramadani u ndalua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një flet-arrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia.
Mevludin Bajrami, veteran i luftës, ka dënuar arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, dhe dërgimin e tij në paraburgim ekstradues nga policia e Maqedonisë së Veriut dhe gjykata vendore, duke e cilësuar këtë akt si të papranueshëm.
Veteranët dhe bashkëluftëtarët e Blerim Ramadanit kërkojnë lirimin e tij të menjëhershëm, tërheqjen e urdhër-arrestit të lëshuar nga regjimi i Aleksandar Vuçiq dhe mospërsëritjen e veprimeve të autoriteteve policore dhe gjyqësore nën diktatin e Serbisë.