U skaduan kontratat, Ansambli shqiptar në Shkup pa artistë! Zv/ministri i kulturës premton zgjidhje të problemit

Shkupi

U skaduan kontratat, Ansambli shqiptar në Shkup pa artistë! Zv/ministri i kulturës premton zgjidhje të problemit

Më: 3 gusht 2024 Në ora: 18:36
Ansambli shqiptar në Shkup

Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në RMV ka mbetur pa të punësuar. Kjo për shkak të mos vazhdimit të kontratave të punës për 34 valltarët, solistët e instrumentistët e këtij institucioni të kulturës. Po edhe përkundër ndërprerjes së kontratave, disa artistë nuk e ndalën punën. Dje u panë duke performuar në shënimin e ditës së Ilindenit.

Të tjerë artistë përmes rrjeteve sociale reaguan për këtë, duke adresuar akuza edhe ndaj drejtuesve të ansamblit se po sillet sikur institucionin ta ketë pronë private.

“Një i pensionuar para një viti, një e panjohur dhe tre të papunësuar në këtë video! Ky është ansambli i momentit! I mbyllur krejtësisht! SKANDAL! Një lëvizje e gabuar nga ana e drejtorisë, sot i tërë institucioni të PA PUNË! Nga asgjëkund dhe nga hiçi, vendim ky, në kundërshtim me ligjin! Ktheni artistët në punë dhe mos ma përzini politikën e fëlliqur me ARTIN!”, tha Era Azemi, soliste

“Kush e ka fajin? Kush do merr përgjegjësi për këtë skandal që u ndodh artistëve në institucionin e kulturës që vetëm krenari i kanë sjellë shtetit dhe kulturës shqiptare në këtë vend? Kërkojmë llogari nga organet kompetente dhe sa më parë të e rregullojnë statusin e artistëve”, tha Arsim Iljazi, instrumentist.

Solistja Besarta Murtezani shkroi se “drejtuesi i Ansambli më 26 korrik ka çlajmëruar të gjithë artistët e këtij institucioni dhe aktualisht institucioni është me një këngëtarë, një valltarë dhe një instrumentist”.

“Edhe sa duhet t’i përbijmë skandalet dhe turpet kur 34 punëtorë janë në RRUGË e në çdo moment presin lajm, kurse drejtuesit i kane mbet projektet pa të punësuar sikur asgjë s’ka ndodhur, përfshirë këtu edhe 2 gushtin Ditën e Ilindenit ku asnjëri nga këto që shihni në video nuk është i punësuar, Çfarë quajmë institucion? Pronë private nuk është Ansambli, thirrni mendjes dhe mos na përdhosni durimin! Ktheni artistët në punë se keni kaluar çdo lloj kufiri. Skuquni pak”, tha Besarta Murtezani, soliste.

Drejtuesit e Ansamblit, në një prononcim për Portalb, kanë sqaruar se të gjithë të punësuarit kanë nënshkruar kontrata pesë vjeçare dhe se kanë qenë të informuar se sipas ligjit për kulturë duhet të rikonkurojnë. Shtojnë se është marrë pëlqimi për punësime për vitin 2024, por konkursi nuk ka mundur të zhvillohet në fillim të vitit për shkak të afateve kohore të zgjedhjeve.

“Pas krijimit të Qeverisë, është përgatitur konkursi por me vendim të qeverisë së re janë anuluar vendimet e Ministrisë së Financave për punësime në të gjitha institucionet shtetërore! Si rezultat i këtij vendimi nuk është e mundur që të shpallet konkurs për punësim në ansambël pa marrë ri-pëlqim nga Ministria e Financave! Kërkesa për të rimarrë pëlqim është bërë një muaj më parë, është kërkuar reagim urgjent nga Ministria e Kulturës për këtë problematikë në rrugë zyrtare nga ana e drejtorit të ansamblit, por deri tani s’ka përgjigje andaj përgjegjësia mbetet tek Qeveria aktuale”, thanë nga Ansambli Shtet ëror i Këngëve dhe Valleve popullore shqiptare në RMV(Burimi portalb.mk)

Zëvendësministri i kulturës Sadat Sulejmani thotë se është duke punuar për këtë çështje dhe premton se së shpejti problemi do të tejkalohet dhe anëtarët e ansamblit do të rikthehen në vendet e tyre të punës.

“Unë jam duke punuar intensivisht në këtë drejtim dhe nga dita e hënë do e dërgojmë pëlqimin në Ministrinë e Financave, dhe shpresoj që në afat sa më të shkurtër kohor, ta zgjidhim këtë problem. E di që është e rëndë për të punësuarit por megjithatë nuk ka ndodhur diçka që kemi faj ne, sepse kanë pasur mundësinë ta rregullojnë. Jashtë kësaj do mundohem maksimalisht që të punoj në drejtim që të gjithë të punësuarit në Ansambël të punësohen me kontrata pa afat kohor, pra të jenë me vendim të përhershëm”, tha Sadat Sulejmani, zv/ministër i Kulturës.

Përndryshe, pesë vite më parë, gjatë themelimit të ansamblit u hap e audicion për pranimin e stafit artistik. Në këtë audicion, përzgjedhja e artistëve u bë nga emra kompetentë të muzikës shqiptare nga të gjitha trevat tona dhe në bazë të vlerësimeve të tyre u përzgjodhën artistët aktual që përbëjnë ansamblin, 20 valltarë, formacionin orkestral me 9 instrumentistë dhe sesionin vokal prej 8 solistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat