Ambasadori bullgar në vend, Angell Angellov, bëri thirrje që të respektohet ajo që është dakorduar. Ai informoi se është takuar me shefin e diplomacisë, Timço Mucunski, me të cilin ka biseduar për pritshmëritë për dialog mes dy vendeve.
Mucunski paraprakisht ka theksuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut presin Qeveri stabile politike në Sofje, me të cilën do të kenë dialog për debllokimin e procesit eurointegrues dhe për idenë për ndryshime kushtetuese me prapaveprim.
Ambasadori bullgar theksoi se Qeveria e re do të ishte e gatshme për dialog, por jo edhe për negociata të reja dhe informoi se zgjedhjet në Bullgari janë caktuar për më 27 tetor.
“Shpresojmë se pas kësaj do të kemi qeveri me të cilën do të mundemi të hyjmë në një dialog intensiv. Kuptohet, jo negociata, për shkak se negociata nuk mund të ketë për diçka që tashmë është dakorduar. Ajo që është dakorduar duhet të respektohet dhe të realizohet. Por, ne nuk do ta ndryshojmë gjeografinë, mbetemi fqinj dhe duhet të kemi komunikim intensiv, duke e përfshirë edhe komisionin historik”, tha Angell Angellov, ambasador i Bullgarisë.
Nga ana tjetër kryeministri Mickoski paralajmëroi zëvendësim të historianëve, punën e të cilëve e vlerësoi negativisht.
“Komisioni aktual i përzier absolutisht nuk i justifikoi pritshmëritë dhe nuk u tregua mbrojtës i interesave kombëtare të popullit maqedonas. Përndryshe, po, është e logjikshme që kur keni qeveri të re, të ketë ndryshime në institucione të caktuara”, tha Hristijan Mickoski.
Kryetari i Komisionit, historiani Dragi Gjorgiev për “TV21” tha se nuk do ta komentonte qëndrimin politik dhe personal të Kryeministrit. Ai sqaroi se marrëveshjet e tyre skadojnë më 15 shtator dhe nuk e dinë nëse do të vazhdohen të njëjtat, ndërsa takimi i ri i komisionit, bashkë me historianët bullgarë është caktuar për më 18 shtator në Shkup.