Shkupi nuk ka masa konkrete për ndotjen e ajrit

Shkupi

Shkupi nuk ka masa konkrete për ndotjen e ajrit

Më: 30 gusht 2024 Në ora: 11:21
Ilustrim

“Nuk kemi masa konkrete për ndotjen e ajrit”, tha Gorjan Jovanovski në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit, kur në rend dite ishte iniciativa e grupit këshillues të “Qytetit të Gjelbër Njerëzor”, për marrjen e masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në Shkup.

Ai theksoi se Qyteti i Shkupit thotë se në shumë vende nuk janë kompetentë dhe se institucionet tjera duhet të veprojnë në pika të caktuara, me të cilat ky grup këshillues nuk pajtohet.

“U renditën institucionet që preken bashkë me qytetin. Nëse qyteti do, mund të fillojë bashkëpunimin, një nismë me këto institucione të tjera, ndotja e ajrit nuk është problem i një institucioni. Është lufta e përbashkët e të gjithëve. Nëse sipas vlerësimeve të fundit në Maqedoni vdesin pesë mijë njerëz në vit nga ndotja e ajrit, mendoj se është e drejtë të mos thuhet se nuk ka kompetencë”, theksoi Jovanovski, duke kërkuar hapa konkretë.

Këshilltari nga LSDM, Gordan Shutarov, tha se ky problem duhet t’i prekë të gjithë dhe bashkëpunimi duhet të jetë multisektorial.

Këshilltarja e pavarur, Irena Vitina, tha se e mirëpret veprimtarinë e Jovanovskit, por se Qyteti dhe Këshilli nuk mund t’i urdhërojnë disa institucione të ndërmarrin veprime, por munden dhe kanë iniciativa, siç është ajo për ligjin e propozuar për policinë komunale.

“Nuk mund të pajtohem që Qyteti i Shkupit të mos ndërmarrë asnjë angazhim dhe iniciativë”, nënvizoi ajo.

Kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, tha se të gjithë duhet ta kenë parasysh këtë çështje sa i përket cilësisë së ajrit, i cili i prek të gjithë.

Ndryshe, Këshilli në seancë miratoi projektplanin për ndryshimin dhe plotësimin e planit të programeve zhvillimore për periudhën 2024-2026. Është miratuar raporti tremujor për realizimin e buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2024, për periudhën nga 01.01 deri më 30.06.2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat