Kryetari i Këshillit të Shkupit, Trajko Sllaveski, për sot në ora 18:00 ka caktuar seancë urgjente për të diskutuar për mosfunksionimin e transportit publik në qytet, pasi autobusët e NTP-së kanë ndërprerë qarkullimin për shkak të mungesës së karburantit.
“Mosfunksionimi i ndërmarrjeve publike nën juridiksionin e qytetit të Shkupit, të cilat kanë për detyrë të ofrojnë shërbime jetike për qytetarët, ka arritur kulmin. Më 21 nëntor, Këshilli i Qytetit të Shkupit do të mbajë seancë urgjente të jashtëzakonshme me fillim nga ora 18:00. Këshilli, në kuadër të kompetencave të tij, është i gatshëm që përmes debatit konstruktiv të miratojë konkluzione, me të cilat do të kërkojë nga autoritetet, para së gjithash nga kryetarja Arsovska dhe drejtorët, që urgjentisht të normalizohet transporti publik në territorin e qytetit të Shkupit dhe ngritjen e nivelit të higjienës”, njofton Sllaveski përmes rrjeteve sociale.
LSDM kërkoi thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për problemet e transportit. Kryetari i kësaj partie, Venko Filipçe, përmes një deklarate paralajmëroi se gjendja në Shkup është alarmante dhe se qyteti është në krizë. Është iniciuar seancë urgjente e Këshillit të Qytetit të Shkupit për të gjetur masa konkrete për dalje nga kriza.
“Nëse pengohet edhe kjo tentativë për veprim të përbashkët, ne do ta rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në Këshill, sepse nuk do të jemi mbulesë për politikat e këqija që po e shkatërrojnë qytetin tonë”, tha Filipçe.