Transportuesit privat sërish në rrugët e Shkupit, por jo me kapacitet të plotë

Shkupi

Transportuesit privat sërish në rrugët e Shkupit, por jo me kapacitet të plotë

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 10:11
Foto ilustrim

Nga sot (25 nëntor) në transportin publik të qytetit janë përfshirë edhe transportuesit privatë, por jo me kapacitet të plotë. Siç njoftuan të shtunën, në trafik do të përfshihen edhe ato transportues që kanë mundësi financiare.

Autobusët e Ndërmarrjes Transportuese Publike – Shkup (NTP) nga e premtja janë duke funksionuar në orarin e tyre të rregullt, pasi Qeveria të enjten u ka dhënë naftë vetëm për shtatë ditë, për të cilën duhet të bëhet prokurimi urgjent përmes Byrosë për Prokurim Publik.

Transportuesit privatë apeluan deri te kryetarja e qytetit të Shkupit, këshilltarët dhe Qeveria në mbledhje të përbashkët që të gjejnë zgjidhje të pranueshme për kërkesën e tyre për rritje të çmimit për kilometër.

“Transportuesit privatë nga e hëna do të japin maksimumin e tyre, gjegjësisht ne do të përfshihemi në orët e hershme të mëngjesit me aq sa mundemi, jo me kapacitet të plotë, që për disa ditë t’u dalim në ndihmë qytetarëve në qytetin e Shkupit. Në të njëjtën kohë, shfrytëzojmë rastin t’u apelojmë të gjithë këshilltarëve në Qytetin e Shkupit – Kërkojmë që njëzëri të votohet për rritje të çmimit për kilometër me qëllim të përmirësimit të gjendjes në transportin publik të qytetit. Me një çmim të rritur, ne angazhohemi të rinovojmë flotën tonë me autobusë me ajër të kondicionuar miqësor ndaj mjedisit”, tha të shtunën Jovica Zafirovski.

Sipas tij, transportuesit privatë kanë 200 autobusë dhe mund të mbulojnë mungesën e autobusëve nga NTP nëse gjendet një zgjidhje reciprokisht e pranueshme me qytetin.

Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi të enjten pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë nafte rezervë.

Qeveria ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme në të cilën është marrë vendim që të intervenohet me naftë nga rezervat shtetërore, në mënyrë që autobusët të kenë karburant për shtatë ditë. Të njëjtën ditë ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme edhe Këshilli i Qytetit të Shkupit, në të cilin është përshëndetur vendimi i Qeverisë për huazimin e naftës nga rezervat shtetërore për nevojat e Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) dhe në të njëjtën kohë ata kërkuan në koordinim me BNJVL-në që të vazhdojnë bisedimet me Qytetin e Shkupit për normalizimin e gjendjes në qytet.

Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi mundësinë e blerjes së autobusëve të rinj elektrikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat