Uji në ujësjellësin e Shkupit mund të shfrytëzohet pa pengesa që do të thotë se është i sigurt për pije – njoftoi Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.
Njoftimi vjen pas ndërprerjes së djeshme disaorëshe të ujit, ku me mungesë u përballën pjesa më e madhe e Shkupit si dhe analizave të bërë nëpër shumë pika.
“Monitorimi përfshiu 9 vende kyçe; Autokomandë, Hasanbeg, Maxhari, Novo Lisiçe, Qendër, Draçevë, Përzhinë, Gjorçe Petrov dhe Karposh ku ishin marrë mostra nga uji për pijes dhe ishin bërë testime fiziko-kimike dhe mikrobiologjike”, thonë nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.
Krahas matjeve në terren, sic thonë nga Ndërmarrja Publike, testime janë bërë edhe me metodë standarde dhe kromatografi jonike për analizën fiziko-kimike. Në matjet janë kyçur edhe analizat mikrobiologjike.
“Duam ta njoftojmë opinionin se nga rezultatet, të gjitha mostrat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike janë konform Rregullores për siguri të cilësisë së ujit për pije, me çka konstatuam se uji nga sistemi i ujësjellësit të qytetit të Shkupit është i rregullt sanitarisht dhe mund të shfrytëzohet nga qytetarët”
Sipas një paralajmërimi paraprak, një pjesë e madhe e Shkupit në orët e vona të natës së të premtes mbeti pa ujë për pije.
Uji nisi të kthehet dje rreth orës 18.00, varësisht komunave kurse deri në mbrëmje, të gjithë komunat e Shkupit u furnizuan me ujë.
Shkaku i ndërprerjes së ujit ishin aktivitetet për sanimin, rikonstruimin dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit.