Vendi sot u zgjua nën dëborë. Alsat në një pjesë të ditës ishte në terren, kryesisht në komunën e Çairit, për të parë nga afër gjendjen e rrugëve nga dëbora.
Sikurse shumë qytete të vendit dhe kryeqytetin e ka kapluar dëbora. Përgjatë kohës që jemi në terren nuk kemi parë asnjë automjet të posaçëm për pastrimin e rrugëve. Rrugët kryesore janë të pastruara vetëm nga automjetet që lëvizin nëpër rrugë, ndërsa shumë trotuare që shfrytëzohen nga qytetarët janë po thuajse të pa pastruara.
Përderisa për gjatë tërë ditës është paralajmëruar se do të ketë reshje të borës, Ndërmarrja Publike ‘Rrugë dhe Rrugica’ nuk tregon se a janë ekipet e tyre në terren dhe a kanë siguruar mjete të mjaftueshme për pastrimin e borës. Dërguam pyetje edhe tek Qyteti i Shkupit, po deri në këto momente, pa përgjigje.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftuan se qarkullimi në rrugët dhe bulevardet komunave të Shkupit janë të hapura për qarkullim, por në kushte të rënda dimërore.
Por, pas reshjeve të ditës së sotshme dhe për shkak të temperaturave të ulëta dhe erërave të forta veriore, nuk është e përjashtuar që të ketë ngrica dhe rrëshqitje të borës.
Nga LSDM akuzojnë se pavarësisht kontratave milionëshe të Ndërmarrjes Publike për mirëmbajtën e rrugëve ‘Rrugët e Maqedonisë’, përsëri rrugët nuk janë të pastruara si duhet dhe rrezikohet jeta e qytetarëve.
“Tenderët më të mëdhenj janë ato të Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtjen e Rrugëve ‘Rrugët e Maqedonisë’, e cila deri më tani ka lidhur tri kontrata dyvjeçare në vlerë prej 1.3 milionë euro në vit për kripë dhe zhavorr. Mirëpo, për shkak të paaftësisë së autoriteteve trafiku është i vështirësuar dhe rreziku për aksidente është në rritje”, thonë nga LSDM.
Ndërsa nga Ndërmarrja Publike për Mirëmbajtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale “Rrugët e Maqedonisë” thonë se janë duke punuar me kapacitet të plotë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve shtetërore në kushtet e motit dimëror.
“Qarkullimi në të gjitha rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, me dëborë të pranishme në shumë segmente të rrugëve. NP ‘Rrugët e Maqedonisë’ garanton se po ndjek nga afër situatën dhe po ndërhyn në kohë për të siguruar lëvizjen e pandërprerë dhe të sigurt të automjeteve”, thonë nga NP për Mirëmbajtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale.
Për shkak të reshjeve të borës sot ka pasur ndalesa për qarkullimin e automjeteve të rënda në disa akse rrugore të vendit. Reshje të borës është paralajmëruar edhe për nesër, por me ndërprerje të herë pas hershme.