Qeveria e re bullgare ka njoftuar se refuzon të negociojë me Maqedoninë e Veriut për të liruar kushtet në të cilat Shkupi mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, raporton portali “Euractiv” me qendër në Bruksel.
“Tre vjet më parë, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut arritën një marrëveshje, të ndërmjetësuar nga Franca, për lëshime reciproke për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor. Qeveria në Shkup ka pranuar të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj dhe autoritetet në Sofje kanë premtuar heqjen e vetos për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut”, kujton teksti i publikuar sot.
Autori i shkrimit më tej thekson se vitin e kaluar ka ndodhur një ndryshim i qeverisë në Shkup dhe se qeveria e re e udhëhequr nga Hristijan Mickoski ka premtuar se “nuk do t’i bëjë lëshime Sofjes”.
“Euractiv” përcjell deklaratën e Mickoskit se presin zgjedhjen e qeverisë së rregullt në Sofje për të filluar negociatat për heqjen e vetos bullgare, por thekson se sinjalet e para nga pala bullgare janë se nuk do të ketë rinovim të dialogut.
“Bullgaria rikujton se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk është çështje dypalëshe, por kusht i Brukselit ndaj Shkupit”, thekson portali.
Në tekst thuhet se në deklaratën e një ministri bullgar thuhet se Bullgaria qëndron “jashtëzakonisht konsistente” në politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit.