Një grua franceze la burrin e saj milioner për një lidhje me një mashtrues në internet që pretendonte se ishte Brad Pitt dhe i transferoi 830 mijë euro për operacione.
"Aktori i Hollivudit" doli të ishte një mashtrues që përdorte foto të Brad Pitt nga spitali të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale.
53-vjeçarja, dizajnere e rrobave intime, ishte e martuar me një burrë të pasur. Në vitin 2023, ajo ishte duke pushuar me familjen e saj në një resort skish ku bëri shumë foto dhe vendosi t'i shpërndante ato në rrjetet sociale.
Për herë të parë në jetën e saj, ajo krijoi një llogari dhe postoi fotot. Menjëherë pas kësaj, ajo mori një kërkesë për miqësi nga një kontakt i pazakontë. Së pari, “nëna e Brad Pitt” iu afrua asaj dhe më pas vetë mashtruesi që pretendonte se ishte aktori.
Në fillim, "Brad Pitt" e mbushi Anën me komplimente, poezi dhe dhurata, duke përfshirë çanta dhe bizhuteri të shtrenjta.
Megjithatë, Anna duhej të paguante 5000 euro për të mbuluar tarifat doganore për dërgesat e tij. Ajo pa hezituar bëri transferimin.
Më pas ndodhi e papritura, "i dashuri" i Anës u sëmur rëndë.
"Brad Pitt" pretendoi se ishte diagnostikuar me kancer në veshka. Paratë, mashtruesi tha se i ishin ngrirë për shkak të divorcit nga Angelina Jolie, kështu që ai i kërkoi ndihmë Anës. Ajo u divorcua nga bashkëshorti dhe pagoi qindra mijëra euro “për operacione”, ndërsa “Brad Pitt” i shprehu mirënjohjen e përzemërt dhe i dërgoi fotot nga shtrati i spitalit.
Fantazia mori fund kur tabloidët e huaj publikuan historinë duke zbuluar se Brad Pitt-i i vërtetë po shoqërohej me një vajzë të quajtur Ines de Ramon.
Anna e mori vesh se ajo ishte mashtruar dhe të gjitha fotot që i dërgonte “aktori” ishin krijuar nga inteligjenca artificiale. Deri në atë moment, ajo kishte transferuar plot 830,000 euro temashtruesi, të gjitha paratë që i kishin mbetur pas divorcit nga burri i saj milioner.