Lot dhe dhimbje në Thumanë! Familjarët e viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit kanë shkuar në varrezat e qytetit, për të përkujtuar të afërmit e tyre, që tërmeti tragjik i një viti më parë u mori jetën.
Në Thumanë u shuan tre familje, duke shënuar 26 viktima.
Familja Lala, Cara dhe Gregu ishin tri familjet më të prekura në Thumanë nga tërmeti i 26 nëntorit. Më fort se këdo tjetër tërmeti ka goditur familjen Cara.
Plot 9 anëtarë të kësaj familje janë zënë nën gërmadha.
Nga këta vetëm dy u nxorën me frymë jete prej rrënojave. Shtatë të tjerë mbyllën sytë përgjithmonë.
Kujtojmë se mëngjesi i 26 nëntorit ku vendi u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter la një plagë të pashërueshme për familjet dhe të afërmit e 51 viktimave të tij.

