Trajtimi ambulator për pacientët me Covid do të jetë falas për pacientët që janë konfirmuar zyrtarisht si bartës të virusit, ndërsa personat e dyshuar nuk përfitojnë, pavarësisht shenjave dhe medikamenteve të njëjta me rastet Covid pozitiv. Qytetarët shprehen se vlera e rimbursimit nuk është e mjaftueshme, pasi çmimet e ilaçeve janë tepër të larta.
Pacientët të cilët do të përfitojnë nga rimbursimi i ilaçeve për Covid, do të jenë vetëm ata që janë konfirmuar zyrarisht si Covid pozitiv.
Duke marrë parasysh faktin se përgjigjja e tamponëve në Shqipëri vonohet disa ditë, duket se rimbursimin nuk do e përfitojnë dot të gjithë.
Në udhëzuesin e lëshuar nga Fondi i Sigurimit të shëndetit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor është afishuar edhe lista e barnave që do të rimbursohen.
Por qytetarët thonë se shuma e vënë në dispozicion nga qeveria është e pamjaftueshme, duke u nisur nga çmimi i konsiderueshëm i ilaçeve.
“Nuk është e mjaftueshme.”
“Nuk është e mjaftueshme aspak.”
“Shumë shtrenjtë, ka njeri që i merr, ka njeri që nuk i merr. Unë që jam vetëm me një invaliditet të vajzës, çfarë të bëj më përpara?”
“Vendimi shumë i vonuar dhe nuk është i mjaftueshëm.”
“Kush ti jep ato ilaçe me 16 mijë lekë?”
Veç ilaçeve, qytetarët thonë se më së shumti u rëndojnë edhe vizitat te mjeku.
Në skemën e rimbursimit të parashikuar nga qeveria përfshihet trajtimi ambulator për fazën e lehtë të sëmundjes dhe fazën e moderuar, përkatësisht 1650 dhe 10900 lekë.
Në vëzhgimin e bërë më herët nga Ora News, rezulton se vetëm për fazën e parë duhen rreth 2000 lekë për medikamentet.