Dhimbja vijon të jetë e përditshme në Thumanë që prej 26 nëntorit të vitit të shkuar. Disa gërmadha të ndërtesave të shkatërruara kujtojnë ende jetët e humbura nën to. Familjarët kujtuan njerëzit e tyre mes lotësh e lule në duar.
Thumana u gdhi në lot edhe këtë 26 nëntor. Mëngjesi i një viti më parë do merrte pabesisht jetët e të dashurve të tyre, të cilët sot kanë ardhur ti kujtojnë në varrezat e Thumanës.
Familjarë dhe të afërm kanë përkujtuar me lule jetët që mbetën nën rrënojat e pallateve vrastare që nuk mundën ti rezistonin lëkundjeve që përjetoi e gjithë Shqipëria.
Thumana ishte një ndër qytetet që u godit më keq, aty ku familje të tëra u shuan.
Momentet e tmerrit shumë prej tyre duan t’i harrojnë, por ato janë të pashmangshme.
“Shkonim aq mirë më njëri-tjetrin. Nuk deshi Zoti. Dhimbja është e fortë. Sardi i shkretë me zor e rritëm, mbeti me të ëmën në rrënojat e pallatit.”
“Nuk di ta përshkruaj, e përjetoj sa herë më kujtohen. Tmerri që ka qenë mos ardhtë më, mos i raftë kujt me e provu!”
Gjithçka në Thumanë, edhe pse tashmë ka kaluar një vit, përcjell dhimbje, por ata njerëz çdo ditë kërkojnë forcë që të ringrihen.