Partia Demokratike ka denoncuar sot procesin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke paraqitur fakte ku pretendohet se po abuzohet me fondet nga ana e qeverisë.
Përmes Sekretarit Ligjor, Çlirim Gjata, PD bëri një denoncim nga Thumana, ndërsa dje u shënua përvjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
Zyrtari i demokratëve, deklaron se korrupsioni po zvarrit punimet e shkollës “Ramazan Jongozi” në Thumanë.
Siç shprehet ai, shkolla u rrafshua brenda natës nga fadromat, në mënyrë që nga vjedhja e fondeve dhe abuzimit skandaloz kriminal, të mos ngelej gjurmë, duke zhdukur vjedhjen. Kështu, 587 milionë lekë avulluan vetëm 3-muaj pas rikonstruksionit, sipas tij.
“Hajdutët e Fatkeqësisë” i kanë zvarritur procedurat e lidhjes së kontratës me të paktën 3 muaj, derisa kanë rënë dakord se si do ta ndajnë prenë e tyre në oborrin e një shkolle në tentativë, ku sot duhet të mësonin nxënësit", – shprehet Gjata.
"Pak muaj para tërmetit të 26 nëntorit, shkolla u rikonstruktua. Për të u harxhuan 587 milionë lekë nga taksat e qytetarëve. Pak javë më vonë, tërmeti nxorri në pah vjedhjen me shkollën. Kjo tregon se ne drejtohemi nga hijena që nuk duan t’ia dinë për sigurinë e fëmijëve, por duan vetëm të vjedhin në çdo kohë e në çdo vend, deri te shkollat dhe kopshtet e fëmijëve”, – vijoi ai.