Erida Nelaj, eksperte e vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik tha për Euronews Albania se programi i vaksinimit ndaj gripit ka nisur që në fillim të tetorit me personelin mjekësor, më tej tek të sëmurët kronikë, ndërsa 230 mijë dozat e fundit janë shpërndarë në të gjithë vendin për të vaksinuar edhe mësuesit dhe edukatorët si dhe fëmijët 2-5 vjeç.
Ajo tha se vaksinimi ndaj gripit nuk është i detyrueshëm, është i rekomanduar, por kërkesa e individëve ka qenë shumë e madhe ndaj këtë vit është 4 fishuar sasia e vaksinës.
E pyetur lidhur me faktin se sa e rrit imunitetin ndaj COVID vaksina e gripit, ekspertja e ISHP shpjegoi se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë, por fakti që vaksina e gripit na mbron ndaj një sëmundjeje virale është një lloj mburoje edhe ndaj gjendjes virale që shkakton COVID.
“Pandemia bën që njerëzit të jenë të frikësuar, vaksina e gripit nuk të mbron nga COVID, por nga një sëmundje virale, sepse në këtë situatë ne duhet të shmangim të sëmuremi nga gripi, të cilin mund ta ndalojmë me vaksinim. Është me rëndësi që njerëzit të mbrohen të mos i zërë gripi e më tej edhe COVID.
Vaksinimi ndaj gripit ka vlerë gjatë gjithë sezonit, por jemi në kohë të vaksinohemi për sa kohë nuk kemi ende grip”, tha ajo.