‘Mund të mbyllemi disa javë për të ndalur infeksionin’/ Brataj: Vaksina e gripit ndikon në rritjen e imunitetit dhe për Covid-in

Shqipëria

‘Mund të mbyllemi disa javë për të ndalur infeksionin’/ Brataj: Vaksina e gripit ndikon në rritjen e imunitetit dhe për Covid-in

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 14:54
Skënder Brataj

Shifrat në rritje të të infektuarve me Covid-19 mund të na çojnë edhe në një mbyllje disajavore. Ekspertët e Komitetit Teknik kërkojnë ndihmën e qytetarëve për të respektuar masat, pasi dimri do të sjellë një tjetër rritje dhe skenarët nuk duhen ezauruar me shpejtësi. Anëtari i komitetit teknik Skënder Brataj tha për Top Channel se situata po agravohet.

“Këto numra që shikojmë sot do të na shndërrohen në pacientë në një shkallë më të lartë përgatitja e skenarëve është e rëndësishme që të mos gjendemi të papërgatitur por kemi nevojë për ndihmën e qytetarëve”.

Me uljen e temperaturave nis dhe qarkullimi i virusit të gripit që e vështirëson situatën por doktor Brataj, bën thirrje të bëjnë vaksinën e gripit.

“Vaksina ndikon në rritjen e imunitetit dhe për covid-in. Gripi ndryshe nga koronavirusi është më i shpejtë, zgjat më pak dhe ka tipike sekrecionet nga hunda”.

I pyetur cili është skenari i radhës pas kalimit të mësimit online, Brataj tha se nuk përjashtohet mundësia edhe të një mbyllje disa javore.

“Duhet pritur efekti i masave që kemi marrë për të vendosur masa të tjera. Normal që do të marrim masa të tjera, do të kalojmë nga të mesmet me më kufizuese, nga kufizimi i orareve deri në mbyllje disa javësh që po e bën gjithë bota, por është një nga masat që ul infeksionin. Por ne duhet të ruajmë ekuilibrin për ekonominë dhe jetën”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat