Pandemia e koronavirusit është në kulmin e saj në vendin tonë, si për të infektuar, ashtu dhe për viktima, por po ashtu në kulmin e tyre të fitimeve duket se janë edhe spekulantët.
Këta të fundit ashtu si në muajt mars-prill kur çmimet e maskave dhe dorezave shkuan në stratosferë, përsëri kanë nisur spekulimet por këtë herë me produkte edhe më jetik.
Pas medikamenteve të caktuara, bombolave të oksigjenit, aparateve të frymëmarrjes, tani radhën për t’u bërë produkt fitimprurës nga spekulantët e kanë pasur termometrat e thjeshtë që matin temperaturën e njeriut.
Në farmacitë e Tiranës aktualisht ka mungesë termometrash, nga ata më të thjeshtët me çmim 100-150 lekë, e deri tek termometrat elektronikë.
Termometrat e thjeshtë gjenden më vështirësi, ndërsa disa të tjerë “luksozë” me zhivë ekologjike kushtojnë mbi 900-1100 lekë nëpër farmacitë e kryeqytetit, në një kohë që ata elektronikë kushtojnë minimalisht 1500 lekë.
Në shumë farmaci në kryeqytet nuk mund të siguroje dot një termometër të zakonshëm, nga ata me zhivë, që përpara pandemisë kushtonin në farmaci vetëm 100 lekë (të reja).
Spekulimi me termometrat
Mungesa e termometrave dhe rritja e çmimit vjen si vështirësi shtesë në kulmin e pandemisë, kur trajtimi dhe parapërgatitja nis pikërisht me to.
Farmacistët në Tiranë në shumicën e pikave të shitjes pohuan se, stoku i furnizimeve ka disa ditë që ka përfunduar, për shkak të kërkesës së lartë nga pandemia, ndërkohë që nuk ka sinjale për furnizime të reja.
Në ndonjë farmaci janë vetëm disa lloje të shtrenjtë termometrash, me kosto gati 10 herë më të lartë se i zakonshmi, që përdorej masivisht deri tani.
Farmacistët e lidhin mungesën e termometrave me dy arsye:
E para për shkak të kërkesës së lartë që ka krijuar pandemia Covid-19, për produkte farmaceutike që bëri të mbaronin rezervat.
Së dyti për disa standarde të reja që aplikohen nga ‘BE’ për importin e termometrave nga Kina.
BE ka ndaluar importin e termometrit të zakonshëm me zhivë, për shkak të rrezikshmërisë për shëndetin.
Shqipëria po aplikon këtë standard dhe kjo ka bërë që importet e termometrit nga Kina të mos lejohen më.
Kjo masë ka sjellë hendek në treg, pasi grosistet janë gjendur të parapërgatitur për të plotësuar kërkesën e lartë, që erdhi nga pandemia. ‘
Në këtë situatë kanë nisur edhe abuzimit me çmimet.