Ushtarakët e dalë në rezervë apo lirim pas vitit 1991, sipas ligjit, mund të merrnin pension të parakohshëm derisa të arrinin moshën e pensionit të pleqërisë.
Por, që prej vitit 1999, formula e përllogaritjes së këtij pensioni ndryshoi disa herë, duke bërë që 877 ushtarakët t’i drejtoheshin gjykatave.
Në vitin 2016, pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore rillogariti pensionet, duke nxjerrë ushtarakët debitorë.
Enver Ajdari duhet të kthejë 1 milion e 900 mijë lekë para të përfituara gjatë pensionit të parakohshëm.
Kjo problematikë angazhoi personalisht Kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili, në cilësinë e deputetit, propozoi faljen me ligj të këtyre detyrimeve. Thoma Konduri, i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, e konsideron vendimmarrje të marrë në kuadër të fushatës, e cila nuk zgjidh totalisht problemin.
Aktualisht, në proces gjyqësor për rishqyrtimin e pensionit të parakohshëm janë 650 ushtarakë. Propozimi i Ruçit parashikon faljen e 110 milionë e 722 lekëve detyrime.