Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në takimin virtual dyditor të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, i cili u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Në takim, u trajtuan çështjet kryesore me të cilat përballet aktualisht siguria transatlantike, si përforcimet ushtarake të Rusisë, përqasja ndaj Kinës, ecuria e misionit të NATO-s në Afganistan, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe atyre në Detin e Zi.
“Sapo përfundoi edhe dita e dytë e mbledhjes virtuale të Ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s. Biseduam veçanërisht për sfidat e marrëdhënieve me Kinën dhe situatën e sigurisë në Detin e Zi. Kjo mbledhje dyditore e Ministrave të Jashtëm të NATO-s ishte jashtëzakonisht e vyer edhe për t’i dhënë një mbështetje shtesë projektit të rritjes së kapaciteteve vepruese dhe forcimit të unitetit të brendshëm brenda Aleancës – NATO 2030”, u shpreh Cakaj në një reagim, sa i përket pjesëmarrjes së tij në këtë takim.
Në përfundim Cakaj shprehu krenari për kontributin dhe frymën bashkëpunuese të Shqipërisë, që prej anëtarësimit të saj në NATO.