Ura e Suhës në Libohovë që lidh 25 fshatra po shkon drejt degradimit të plotë për shkak të mungesës së ndërhyrjeve. Bashkia e Libohovës, është dorëzuar përballë situatës për mungesë fondesh. Probleme për shkak të amortizimit kanë edhe urat Metalike të Leklit dhe Dragotit.
Kjo është ura e Suhës në Libohovë. Lidh të paktën 25 fshatra të krahinës së Zagories dhe Pogonit me qytetin.
Mungesa e ndërhyrjeve po e çon drejt degradimit të plotë.Të dyja këmbët mbajtëse kanë pësuar dëmtime.
Problematika theksohet gjatë stinës së dimrit, kur prurjet e lumit shtohen duke rritur gërryerjen në këmbët mbajtëse.
Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi pranon rrezikshmërinë që paraqet ura, por dorëzohet përballe saj për pamundësi financiare.
“Kemi bërë një projekt, por është jashtë mundësive të bashkisë të kryejë këtë investim.”
Ura e Suhës, nuk është e vetmja e rrezikshme në qarkun e Gjirokastrës.
Shqetësuese është situata edhe në Urat Metalike të Leklit dhe Dragotit.
Sipas një raporti të vitit 2019, në Shqipëri janë rreth 30 ura që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, si pasojë e moshës dhe gjendjes teknike në të cilën ato ndodhen.