Partia Demokratike thotë se opinioni i ndërmjetëm i Komisionit të Venecias evidenton faktin se Partia Socialiste nxitoi të ndryshonte në mënyrë të njëanshme Kushtetutën për llogari elektorale. Ish-deputeti, Enkelejd Alibeaj, thotë se Venecia hapi një derë të madhe duke pranuar faktin se ndryshimet përbëjnë shkelje kushtetuese.
Komisioni i Venecias i dorëzoi të mërkurën palëve politike opinionin paraprak mbi ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nga ana e Partisë Socialsite, ndërsa sugjeronte që të mos ketë ndryshime para zgjedhjeve të 25 prillit.
Por pavarësisht kësaj, ish-deputeti demorkat Enkelejd Alibeaj, thotë se Venecia ka hapur nje derë të madhe për të dhënë zgjidhje, ndërsa sipas tij evidentohet nxitueshmëria e qeverisë për të bërë ndryshime të pakonsultuara vetëm për qëllime elektorale.
Alibeaj: Është e vërtetë që ka thënë se ndoshta efekti nuk është aq i madh për shkak të heqjes së koalicioneve por është i tillë i cili mund të bëjë edhe ndryshimin e aq mandatave sa duhet për të përcaktuar nesër Kryeministrin.
Ajo çfarë në kampin opozitar shihet me interes është edhe fakti se Venecia i orienton palët drejt Gjykatës Kushtetuese.
Alibeaj: Në një situatë të tillë ku Venecia thotë për të përcaktuar kushtetutshmërinë e ndryshimeve kushtetuese apo edhe të ndryshimeve zgjedhore duhet të shkojmë në Gjykatë Kushtetuese që duhet ngritur një orë e më parë tregon se kemi një problem të madh në shtratin juridik.
Alibeaj thotë se Venecia i fton palët në një dialog të sinqertë që ndryshimet e njënashme ti bëjnë efektive.
Alibeaj: Këtë mund të bëjë Venecia, fton palët politike të cilat në një dialog të sinqertë konstruktiv ta bëjnë efektive për aq sa çështë e mundur këto ndryshime të njëanshme.
Po kush do të jetë taktika elektorale që do të përdorë opozita për 25 prillin?
Alibeaj: Nuk ka asnjë lloj mundësie kur fusha politike është e strukturuar midis regjimit oligarkik dhe një shoqërie e tërë që tejkalon edhe dimensionet e partive politike që të mund të ketë finale të ndryshme nga ajo se çfarë kemi thënë më parë, regjimi do të rrënohet, do të rrëzohet.